Pas mësimeve që na dha pandemia Covid-19, Europa duket se po përgatitet për urgjencat që mund të vijnë nga sulmet e ndryshme kimike, biologjike apo nukleare. Pjesë e planit të masave është edhe Shqipëria.
220 mijë euro ka financuar Bashkimi Europian për pajisjen e Urgjencës Kombëtare me veshje dhe materiale speciale në rast ndërhyrje për çdo urgjencë që mund të shkaktohet nga incidentet kimike, biologjike apo nukleare.
Skënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare thotë per Televizionin A2 se punonjësit e shëndetësisë duhet të jenë të përgatitur për çdo situatë. Brataj kujton 8 marsin e vitit 2020, kur në Shqipëri u identifikua rasti i parë me Covid-19.
Skendër Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare
Kreu i Urgjencës zbulon se sa të trembur dhe të papërgatitur ishin punonjësit e urgjencës të cilët do të kryenin transportin e pacientit zero. Përfaqësues të projektit mbështetës të Bashkimit Europian kryen trajnime me punonjës të urgjencës së Tiranës, të spitaleve rajonale, por edhe të shërbimit zjarrfikës.
Ndërsa në ditët në vijim, Urgjenca Kombëtare pritet të kryejë demonstrime për pajisjet mbrojtëse për urgjencat e veçanta kimike, biologjike dhe nukleare./m.j