60 milionë euro do të shpenzojnë Letonia, Lituania dhe Estonia për t’u përforcuar përkundrejt “ariut rus” që mbetet një kërcënim konstant për sigurinë e tyre që nisja e ofensivës ushtarake në Ukrainë.
Tri vendet baltike, pjesë e BE-së dhe NATO-s, do të investojnë në ngritjen e bunkerëve, përgjatë kufirit me Rusinë, ndërkohë që Putin dhe Brukseli në deklarata me tone të larta paralajmërojnë se do të rrisin rezervat e tyre të armëve për të qenë gati për luftë.
“Projekti, i cili do të kushtojë afërsisht 60 milionë euro, siguron gatishmërinë për të luftuar armikun që në momentin e parë”, thonë zyrtarët e NATO-s, sipas gazetës “The Sun”.
Si pasojë e masakrës pas fillimit të luftës ruse në Ukrainë, ministrat e Mbrojtjes të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë ranë dakord të merrnin masa që të mos kishin të njëjtin fat.
Tri vendet baltike do të ndërtojnë një “rrjet të gjerë fortifikues”, përgjatë kufirit me Rusinë për të parandaluar pushtimin e Putinit, ndërsa ekziston frika se do të shpërthejë një Luftë e III Botërore.
Ndërtimi i strehimoreve do të nisë fillimisht në Estoni, me ministren e Mbrojtjes së vendit, Susan Lilleveli që ka sqaruar se përparësia përfundimtare është të sigurohet gatishmëria “për të luftuar armikun që në momentin e parë”.
Estonia, sipas “The Sun”, planifikon të ndërtojë 600 bunkerë rreth pikave të kalimit kufitar të Narvës në veri dhe Voru në jug të vendit.
Teksa Ukraina ka arritur t’i rezistojë sulmit të Moskës, ka të ngjarë që tri shtetet e vogla baltike të pushtohen nga rusët brenda disa ditësh.
“Lufta në Ukrainë tregoi se rimëkëmbja e territoreve tashmë të pushtuara është jashtëzakonisht e vështirë dhe ka një kosto të madhe në jetë njerëzore, kohë dhe burime materiale. Estonia, Letonia dhe Lituania janë konsideruar prej kohësh si objektivat më të mundshëm rusë për Putinin nëse ai do të sulmonte vendet e NATO-s. Këto objekte i shërbejnë, së pari, qëllimit për të shmangur një konflikt ushtarak në rajonin tonë, pasi ato mund të ndryshojnë potencialisht mendësinë e armikut. Masat fortifikuese kanë luajtur një rol të rëndësishëm në luftërat në rajonin tonë historikisht, për shembull në Finlandë dhe siç ka treguar lufta në Ukrainë, ato janë ende të vlefshme në këtë shekull”, theksoi ministrja estoneze.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg, ka paralajmëruar Evropën se do t’i duhet të rrisë prodhimin e sistemeve të armëve për t’i bërë ballë çdo kërcënimi nga regjimi i Moskës.
“Ne duhet të riorganizojmë dhe zgjerojmë bazën tonë industriale në mënyrë që të rrisim dërgesat në Ukrainë dhe të riformësojmë arsenalin tonë”, i tha Stoltenberg shtypit gjerman.
Kreu i NATO-s pretendon se aleanca prej 31-anëtarësh nuk kërkon luftë me Rusinë, megjithatë, ai iu referua konkretisht luftës së Putinit në Ukrainë si provë se “paqja në Evropë nuk mund të merret si e mirëqenë“.
“Nëse Putin mund Ukrainën, nuk ka asnjë garanci që agresioni rus nuk do të përhapet më tej. Mbështetja e Ukrainës, si dhe investimi në aftësitë e NATO-s është mbrojtja jonë më e mirë”, nënvizoi Stoltenberg për gazetën gjermane Welt am Sonntag.
/a.r