Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme draftin e Ministrisë së Drejtësisë për amnistinë e të dënuarve, nga e cila përfitojnë 600 të burgosur me vendim të formës së prerë.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha pas mbledhjes së qeverisë se pr/ligji tashmë i ka kaluar Parlamentit për t’u votuar nga deputetët.
“Dua të falënderoj të gjithë kolegët e mi në qeveri që votuan për amnistinë dhe nga ky moment ky projektligj do të depozitohet në Kuvendin e Shqipërisë, ku edhe fjalën e kanë deputetët të cilët do të duhet të japin votën e tyre, shumica e cilësuar për kalimin e projektligjit për dhënie amnistie.
Ministri sqaroi se, qëllimi i këtij projektligji është përjashtimi tërësisht apo pjesërisht nga dënimi i personave që përfitojnë sipas kritereve të këtij ligji. Parimet e amnistisë dihen, parimi i humanizmit, parimi i rehabilitimit të personave të dënuar, mbrojtja e interesit publik por pse jo edhe mbrojtja e interesit më të lartë të të miturve, të cilët me këtë kategori janë përfituesit më të mëdhenj së bashku edhe me gratë e dënuara.
Efektet e këtij projektligji shtrihen për të gjithë personat të cilëve ju ka marrë vendimi formën e prerë deri në datën 30.11.2023.
Nga kjo amnisti, nëse do të marrë votën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, përfitojnë rreth 600 persona të dënuar të cilët do të kenë mundësinë që t’i kalojnë festat e fundvitit pranë familjarëve të tyre.
Bëhet fjalë për një projektligj që votohet me shumicë të cilësuar, çka do të thotë se kërkohet edhe pëlqimi i opozitës që të votojë për amnistinë.