Përbërja e re e qeverisë serbe: Daçiç ministër i Brendshëm, Vulin zv/kryeministër…

Mandatari për formimin e qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviç, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet. Siç paralajmëroi, qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë. Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiç, deri më tash ministër i Policisë.

Marko Gjuriç, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme. Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviç, do të jetë po ashtu pjesë e qeverisë si ministër pa portofol.

“Zavetnici” në Qeveri

Millica Gjurgjeviç Stamenkovski, kryetare e partisë së djathtë, Zavetnici, do të drejtojë Ministrinë për Përkujdesje Familjare. Kjo parti, deri më tani, ka vepruar në opozitë, por pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ka nisur bashkëpunim me Partinë Përparimtare Serbe, që ka pushtetin. Si partnere e saj në koalicion, do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi, që do të mbahen më 2 qershor.

Ministrat e rinj të qeverisë serbe përfshijnë edhe ish-sekretarin shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes, Nemanja Staroviç, si ministër i Punës, Darko Gllishiçin si ministër për Investime Publike dhe Dejan Ristiçin si ministër për Informim. Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë do të rikthehet Zllatibor Llonçar, i cili nuk e ka mbajtur këtë post në përbërjen e kaluar, ndërsa Ministrinë e Kulturës do ta marrë Nikolla Selakoviç.

Ministri i deritashëm i Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Aleksandar Martinoviç, do ta drejtojë Ministrinë e Bujqësisë. Ministre e re e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Jellena Zhariq Kovaçeviç, ndërsa Adrijana Mesaroviç do të jetë ministre e Ekonomisë./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com