Përballja e papritur në Drejtorinë e Tiranës, çfarë i tha Marklen Haka nën pranga Tonin Vocajt?

Kur Marklen Haka, këmbëzbathur dhe nën pranga, mbërriti në Drejtorinë e Tiranës, ai është përballur me kryepolicin, Tonin Vocaj, që po dilte nga ndërtesa.
Në video, ai duket se është duke i thënë diçka Vocajt, por nuk kuptohet se çfarë i ka komunikuar. Vocaj ka tundur kokën dhe më pas ka takuar efektivë të tjerë, ndërsa “i forti i Niklës” është shoqëruar brenda në drejtori.

Marklen Haka nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Në skedarët e policisë 33-vjeçari rezulton i arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që ka qenë objektiv i dy sulmeve me armë.

Ai i shpëtoi edhe një atentati në vitin 2019, ku mbeti e vrarë halla e tij, 50- vjeçarja Shpresa Basha, e cila mbrojti nipin me trupin e saj. Ndaj të riut u qëllua me 100 plumba, ndërsa Haka kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu.

Marklen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes.

Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit N.Z, mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet.

I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Marklen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar.

Më 12 shtator të vitit 2018, Marklen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë, në operacion e bujshëm, gjatë të cilit forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës, duke shoqëruar dhjetëra persona, por që arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie.

Me një vendim të datës 9 prill 2019, Gjykata e Krujës e dënoi Hakën me 1 vit e gjysmë burg, por me gjykim të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 1 vit heqje lirie. Dënim që e përfundoi në korrik të 2019.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com