Intervistoi: Reldar Dedaj
Krijimtaria e regjisorit, artistit dhe profesorit Pëllumb Kulla meriton një bibliografi më vete. Dhjetëra skeçe, komedi, tregime, monologë, skica e thërrime, drama, romane apo publicistikë që shënojnë historinë e satirës, letërsisë, apo dramaturgjisë shqipe, në më shumë se gjysmë shekulli. Për këtë arsye Liberale.al vendosi të realizojë një intervistë ekskluzive me të, me dëshirën e madhe për të kuptuar akoma edhe më shumë jo vetëm artin e tij, por edhe rolin që duhet të ketë artisti në shoqërinë shqiptare.
“Një intervistë me Pëllumb Kullën? Më së fundi do të kuptojmë diçka!”.
Kështu më kanë thënë disa miq kur i kam lajmëruar se do të bëja këtë bisedë me ju. Në fillim të këtij bashkëbisedimi do të kisha shumë dëshirë të flisnim mbi teatrin në përgjithësi dhe për lidhjet tuaja me të. E nuk mund t’i shmangem pyetjes: ç’qe ajo shtytje që ju zgjoi interesin drejt botës së teatrit?
Thjesht, magjia e tij… Fëmija bën sikur fle… Apo, shtiret i sëmurë, për të mos shkuar në shkollë… Janë elementë teatralë. Kujtoj me mall nga fëmijëria një haré dasme, ku ca femra të fisit, nuse a vajza në vakt martese, të mbyllura në një dhomë me kyç nga brenda, teksa më lejonin edhe mua, atëherë në një moshë të papërfillshme, të sodisja lojrat dhe hargalisjet e tyre. Njëra nga hallat e mia të dashura, ngjiste nën hundë një palë mustaqe me bishta dhe u afrohej shoqeve me ashkun e shtirur të një mashkulli. Trashte zërin, u trazonte gjokset, u binte me pëllëmbë vitheve të tyre dhe i ftonte njërën pas tjetrës për dashuri… Ato nuk pranonin dhe halla ime i ndiqte nëpër tërë dhomën që t’i puthte. Ato shkuleshin së qeshuri, klithnin e kukurisnin. E unë, një dhjetëvjeçar i brishtë, shkrihesha tok me to. Ishim në parcelat e teatrit. Ishte magjia e universit të teatrit. Në atë univers, tragjedia Hamleti dhe fëmija që bën sikur fle, janë dy skajet e repertorit në historinë e teatrit botëror.
Magjia! E keni përdorur termin magji dhe në të shtatë vëllimet e kolanës tuaj me letërsinë për skenën me titullin e përbashkët “Teatri, kjo lojë magjepsëse”?
Pikërisht! Sepse në lojën e teatrit, teksa zbavitesh dhe zbavit, ti, në të njëjtën kohë, sheh një hapësirë të magjishme, ku mund të shfaqësh ide dhe duke u pjekur vetë, synon t’i shfaqësh edhe më të pjekura, idetë e tua. Në këtë lojë të pakrahasueshme, ty, si autor apo si aktor, të jepet mundësia të jesh në mënyrë të përsosur dikush tjetër, të bëhesh, përkohësisht, ai që në të vërtetë në jetë nuk u bëre dot! Të jepet një mundësi të lozësh, sikur po i gëzon si të realizuara, ca ëndrra që në jetën reale nuk arrite dot t’i gëzosh. Ti, aty në lojën teatrale, je i bukur edhe të duan të gjitha vajzat, kur, në të vërtetë, jashtë kësaj loje, në jetën reale, veç shoqes së jetës, asnjërës nuk i kanë mbetur sytë tek ty!
Ka shumë artistë, madje edhe nga ata të letrave që tregojnë se teatri, në ditët e sotme, e ka humbur shikuesin. Ju, zoti Kulla, si e përjetoni këtë fakt?
Është e vërtetë. Dhe unë e përjetoj me dhimbje këtë gjendje. Them se shkaku dhe fajtorët për këtë ndodhen në të dy anët e perdes. Nga njëra anë, spektatorët, në këto kushte të reja, kërkojnë dhe gjejnë magji nëpër ca hapësira të tjera që janë shtuar, kurse përtej perdes, skenat e kanë humbur magjinë që ofronin. Cilësia e letërsisë të skenave tërheq më pak. Politikat kulturore të shtetit janë lënë mënjanë, që të mos themi, harruar fare.
A ekziston diçka që ju shqetëson më shumë se çdo gjë, sot, për teatrot shqiptarë?
Komercializmi që ka rrëmbyer vendin e parë në të tëra ambicjet e menaxherve dhe artistëve. Kontakti me botën e jashtëme, liria e shumëpritur, mjerisht, ka nxjerrë në ballë të interesave përfitimin financiar. Menaxherët dhe regjisorët rendin pas një repertori pa doganë. Sjellin në skenë vepra që kanë komoditetin e pjesëve me sa më pak personazhe, me një apo dy vetë. E lumturojnë se me atë pirateri pa lejën e autorëve të humbur a të vdekur, por sidosi të palidhur me mjedisin shqiptar, qofshin holandezë a japonezë, të cilëve nuk do t’u paguajnë veprën. Kësisoj jemi larg problemeve dhe mesazheve që meritojnë teatërdashësit e vendit tënd.
Nuk e di nëse keni informacion, por kureshtja më detyron t’ju pyes se, përgjatë këtyre viteve, sa është mbështetur dramaturgjia shqipe nga Ministria e Kulturës?
Asfare! Kësaj ministrie duket se i ka ardhur pas oreksit pavarësia e qeverisjeve lokale. Ajo ministri jo vetëm nuk ndjek nga afër jetën teatrore, nëpër qytete, por as nga larg nuk e shqetëson repertori anemik dhe thuajse tërësisht i huaj që shfaq fenomenet negativë që përmenda më lart. Nuk kam dëgjuar që ministria të ketë organizuar sesione shkencore, a seminare kombëtare në lidhje me lëndën dramaturgjike pa shije, pa rregulla të etikës, apo të shfaqë shqetësim për vulgaritetin, që brohoritet dhe u pëlqen pamasë ca kategorish spektatorësh dhe, mjerisht, edhe aktorësh. Përpos kësaj, nuk jam në dijeni nëse në ndonjë fakultet jepet teoria e dramës apo komedisë, struktura apo veprimi dramatik… dua të them, ku të përfillet veçantia e kësaj gjinie letrare.
Jeni autor i shumë vëllimeve, lëvrues skrupuloz i disa zhanreve, por ajo çfarë mua më intereson për t’ju pyetur është se për t’ju kuptuar, duhet të kesh nocione jo vetëm të filozofisë, por edhe të psikoanalizës, të historisë, të letërsisë dhe të gjuhësisë?
Pyetja juaj, i dashur mik, vjen drejt meje me një kostum të mirësjellshëm vlerësues, por ama, i ngjan më shumë një antireklame. Nuk ka nevojë, or miku im, të jesh i pajisur aq shumë, për të më kuptuar mua. Sepse jam i mendimit, se nuk ka shpërblim më të madh se sa të jesh popullor. Pra preferoj të jem më i pranueshëm për masa njerëzish. Dhe kjo arrihet duke qenë i thjeshtë dhe i kuptueshëm në mesazhet e tua, të cilët unë synoj t’i kem të urtë, të tretshëm dhe mundësisht me gjuhë tërheqëse dhe zbavitëse.
Cili duhet të jetë qëndrimi i një intelektuali në marrëdhëniet me mjedisin politik?
Nuk do ta quaja intelektual atë artist që jeton në një vakum apolitik. Është i vetmi postulat i Leninit që më pëlqen teksa shprehet, se “Jeta jashtë politikës nuk është veçse gënjeshtër dhe hipokrizi.”
Ju jeni një bibliotekë lëvizëse e letërsisë satirike, të paktën kështu kam dëshirë t’jua quaj dhe duke qenë i tillë, me patjetër i jepni një vend nderi psikoanalizës në veprën tuaj, jo vetëm si një referencë e thjeshtë, por si një levarashmëri e vazhdueshme. A ka në të arsye filozofike, sipas interesit tuaj?
Natyrisht që ka. Njeriu thith dhe shpërndan edukimin e tij, kulturimin, ushqimin shpirtëror që merr prej mësuesve të tij të gjallë dhe të vdekur, të vendit apo të huaj. Njeriu merr dhe jep përvojën e tij jetësore, vuajtjet dhe gëzimet e tij. Jeta aktive e bën këtë njeri, kur ai merr trajtat e shkrimtarit dhe artistit, të mprehë vëzhgimin dhe të sjellë në mjedisin shoqëror urtësinë e tij, të lerë mësimet e tij.
Atëherë, cila është lidhja mes përvojës suaj në psikoanalizë dhe shfrytëzimit të saj si humus ndërtues për krijimtarinë tuaj. Kam parasysh këtu librat “Unë grindaveci”, “Diktatura e Parasë” dhe “Luftë pa fund”, etj?
Në këta libra që përmendët, unë më së shumti kam shpërfaqur shkurt vëzhgimet satirike, të cilat më vijnë parasyve, pa qenë nevoja që unë atyre t’ju bëj shtretër komedish.
Ja, ju zutë në gojë komeditë Përse lëvroni më shumë gjininë e komedisë? Mos ndoshta ngaqë është më e volitshme se sa të impenjohesh në letërsinë, le ta quajmë “serioze”?
Duke rrezikuar modestinë, nuk rri dot pa thënë se unë e konsideroj veten një njeri shumë serioz. Dhe guxoj të them se nuk janë komedi dinjitoze ato që janë larg seriozitetit! E them me bindje se tani, në atdheun tonë, komedia ka kohën më të mirë për të lulëzuar. Në truallin arbëror gjendet sot plot lëndë për komedinë e situatave dhe të karaktereve. Situatat të vijnë vetë dhe të trokasin në portë… Ja, gati gjysma e shqiptarëve të shpërndarë mbi glob, përdorin për nevojë emra të rremë, datëlindje dhe vendlindje, që s’janë të vërteta; figurojnë të martuar pa qenë hiç ashtu dhe paraqesin diploma universiteti, kur edhe të mesmen e kanë lënë përgjysmë. Karakteret… Portretet e politikanëve tanë janë fantastikë, për mashtrimin, spekulimet megallomaninë, dyfytyrësinë, populizmin fals; për kërcimet nga një parti në tjetrën, nga një aleancë në tjetrën; dhe për deklaratat e kundërta me ato të shprehurat vetë, një vit më parë! Këta tipa për bukën e komedisë, janë miell i cilësisë së parë. Aq më tepër që komedia është zhanri më i dashur, jo se spektatori e preferon atë më shumë, jo se shqiptarët duan më shumë të qeshin, jo se ata janë mëndjelehtë. Por sepse janë më të pakënaqurit, më të mashtruarit. Dhe komedia sikur i ndihmon të hakmerren, në një farë mënyre. Ju shikoni se sa efekt kanë disa rubrika satirike nëpër kanalet kryesore televizive! Dhe nuk duhet mohuar aspak, që satira e ka rrugën më të lehtë tani, në periudhën pasdiktatoriale. Po mbush një shekull tashmë që realiteti shqiptar, ofron më shumë qesharakëri, se heroizëm dhe ideale!
Cilët janë shkrimtarët që ju vozisni më shpesh në jetën tuaj?
Janë nga ata që, natyrisht, unë i quaj më të mirët. Të vendit dhe të huaj. Mund të rreshtoj këtu Kutelin, Agollin, Kadarenë, Qamil Buxhelin, Petrit Rukën… Të huajt pastaj janë shumë: Çehovi, Nesini, Buxati, Molieri, Dodéja, Dostojevskij, Tuejni, Sartri, Hasheku dhe plot të tjerë.
Në shumë artistë ekziston ideja se shpeshherë ata i kap një lloj “krize” në lidhje me punët e tyre, ju personalisht, jeni gjendur në të tillë ndjesie dhe kjo aksh gjë, mos ju ka bërë të ktheheni kundër vetë materialit tuaj dhe të urreni punën që keni bërë. A ka gjithmonë ndonjë krizë për çdo vepër?
Vitet nën diktaturë rrezikonin ta ndotnin krijimtarinë, me atë partishmërinë e shumë kërkuar, me hyjnizimet e diktatorit dhe enturazhit të tij, me glorifikimin e “jetës së bukur nën udhëheqjen e PPSh” Kam qenë me fat, se unë u angazhova tërësisht në fushën e humorit dhe satirës, në këtë fushë “udhëheqësi i shtrenjtë” nuk kishte vend. Pra, isha mbrehur në një qerre që nuk mbarte mall të tillë. Aq më tepër që mua nuk do të më kërkonin mallra të atij lloji. Përmbysja e komunizmit nuk më mori me vete në gremisjen e tij asnjë nga punët e mia për skenën! Asnjë faqe të shkruar, bile asnjë pasazh! Kam kënaqësinë të them se unë nuk fshiva asgjë dhe nuk iu luta arkivit të RTSh të më bllokonte asgjë, siç më thonë se kanë bërë disa nga kolegët bashkëkohës.
Këtë pyetjen tuaj unë ia përkthej vetes, nëse vazhdoj të jem konseguent dhe i vërtetë, nëse vazhdoj të jem po aq kritik në çapitjen e jetës së shqiptarëve në kushtet e paskomunizmit. Në titujt e atyre pak librave publicistikë, që ju përmendët më lart dhe që janë të njohur për ju, unë jua kam dhënë përgjigjen. Për ata që nuk i kanë shfletuar unë përgjigjem: po! Ndihem mjaft i fuqishëm!
Ju jeni një artist me një përvojë shumë të madhe, por si në libra, ashtu edhe në letërsinë tuaj për skenën dhe televizionin keni heronj, që janë gjithmonë në transformim. Ju si jeni në krahasim me këta? Si mund ta përshkruani vetveten?
Shpirtërisht, unë me ata pak heronj, të cilëve u kam dhënë jetë, jemi në harmoni të plotë dhe në një përputhje botkuptimore të bukur!.. Faleminderit për vëmendjen ndaj krijimtarisë time!