Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po merr pjesë në Ministerialin e Mbrotjes të NATO-s, që mbahet në Bruksel. Ministri Peleshi pati mundësinë që të takohet, në kuadër të këtij Ministeriali me homologë të tij të vendeve anëtare të NATO-s.
Gjatë takimit me Ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë Marjan Sareç, çështje kryesore e diskutimit ishte bashkëpunimi dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe intensifikimi i marrëdhënieve në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit rajonal.
Dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen mbi Bashkëpunimin për Mbrojtjen ndaj Katastrofave Natyrore, marrëveshje e cila ka si qëllim të rregullojë kuadrin ligjor për një bashkëpunim sa më efikas në parandalimin dhe gatishmërinë ndaj fatkeqësive, për ofrimin vullnetar të ndihmës së ndërsjelltë në rast katastrofash. Gjithashtu Ministri Peleshi zhvilloi një takim me Ministrin e Mbrojtjes së Suedisë, Pal Jonson ku iniciimi i një bashkëpunimi konkret në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve ishte në qendër të bisedës.
Ministri Peleshi i propozoi ministrit Jonson nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si një dokument ligjor që do të shërbente si bazë për bashkëpunim sa më të sigurtë dhe konkret në të ardhmen.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi mundësinë e një bashkëpunimi në fushën e industrisë ushtarake, asistencën dhe mbështetjen që Suedia mund t’i ofrojë vendit tonë apo dhe krijimi i një lloj bashkëpunimi me industritë ushtarake të njohura suedeze.