PE debaton për zgjedhjet në Serbi, rezoluta do të miratohet në shkurt

Reynders ka thënë se pret që Serbia t’i zbatojë menjëherë të gjitha rekomandimet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim Serbinë në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Po ndjekim me vëmendje protestat në Serbi, pas zgjedhjeve. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë dhe të drejtën e mbajtjes së demonstratave paqësore. Në të njëjtën kohë dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk është e pranueshme”, ka thënë ai.

Debati për Serbinë është futur në rendin e ditës të seancës plenare të Parlamentit Evropian pasi një grup partish politike kanë bërë kërkesë për mbajtjen e një debati të jashtëzakonshëm.

Gjatë debatit të 17 janarit, dorëzuesi i kërkesës, Andreas Schider, ka thënë se në vend që të kërkohet transparencë, “presidenti dhe kryeministri i Serbisë kritikojnë vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve në mënyrën më të ashpër dhe më të keqe”.

Ndër parregullsitë në zgjedhje, ai përmendi “votuesit fantazmë, blerjen e votave si dhe raportimin e njëanshëm mediatik”.

Parlamenti Evropian e ka pasur një mision vëzhgues për zgjedhjet në Serbi. Në krye të misionit ka qenë përfaqësuesi evropian, Klemen Groshell.

Përgjatë debatit, ai e ka përsëritur se janë konfirmuar parregullsitë në procesin zgjedhor, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se vendi ka problem serioz në përmbushjen e standardeve themelore demokratike dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Popullistët evropianë janë përpjekur që të pengojnë debatin për Serbinë, duke iu referuar mospublikimit të raportit përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore janë mbajtur në Serbi më 17 janar.

Koalicioni opozitar, “Serbia kundër dhunës”, nuk i pranon rezultatet dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve, duke deklaruar se partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka fituar me vjedhje elektorale.

Kjo parti dhe liderët në pushtet i mohojnë akuzat.

Prej kur janë mbajtur zgjedhjet, një pjesë e opozitës ka organizuar çdo mbrëmje protesta me kërkesën për anulimin e rezultateve.

Zgjedhjet në Serbi do të diskutohen sërish në Parlamentin Evropian, javën e ardhshme.

Debati do të mbahet në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, më 23 janar.

Pas diskutimit të mbajtur, të mërkurën, më 17 janar, Parlamenti Evropian pritet të miratojë rezolutë për këtë çështje, në një seancë plenare që do të mbahet në muajin shkurt.

/a.d

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com