Pavarësia e SHBA, i ngarkuari me punë i Uashingtonit: Shoh realitet optimist në Shqipëri

David Wisner, i Ngarkuari me punë në Pritjen e Ditës së Pavarësisë, ka vënë theksin te marrëdhënia e mirë mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Ai vë theksin se ka dëgjuar kritika të shqiptarëve ndaj shërbimit publik, mirëpo, thotë se gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ka parë një panoramë ndryshe, me më shumë optimizëm.

“Lidhjet që bashkojnë dy vendet tona janë forcuar gjatë 102 viteve të fundit. Kemi shumë të përbashkëta – që nga shqiponjat që fluturojnë mbi vendet tona, te dashuria jonë për lirinë, te pasioni për futbollin (sado të ndryshme që janë!), tek amerikanët që vizitojnë dhe jetojnë në Shqipëri dhe komunitetet e mëdha e të talentuara të diasporës shqiptare në SHBA, të ekspozuara këtu sonte.

Ndonjëherë dëgjoj se shqiptarët kanë rezerva ndaj shërbimit publik, duke kujtuar ngjyrimet që ky koncept kishte gjatë periudhës së errët në historinë e Shqipërisë. Gjatë vitit tim këtu, kam parë se realiteti është pak më i ndryshëm dhe në fakt më bën të kem më shumë optimizëm.

Gjyqtari i shkëlqyer i Gjykatës së Lartë të SHBA-së dhe kryqtari kundër korrupsionit, i ndjeri Louis Brandeis, ka thënë: “Zyra më e rëndësishme politike është ajo e qytetarit të thjeshtë”. Ju lutem bashkohuni me mua për të menduar mbi këtë, për një çast. Shumë prej jush po i shërbeni vendit tuaj në mënyra të rëndësishme dhe ndërsa hedh sytë përreth, shoh shumë shembuj frymëzues.

Shoh Këshillin tonë Rinor dhe Ambasadorët e Natyrës që u mësojnë bashkëmoshatarëve të tyre të bëhen qytetarë aktivë dhe të angazhuar, mësime vendimtare për të ndërtuar demokracinë e Shqipërisë. Shoh mësues dhe përkthyes të gjuhës së shenjave nga Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë që i përgatisin nxënësit e tyre të kenë sukses, duke u bërë shembull për mundësi të barabarta për të gjithë. Shoh punonjës nga të gjitha degët e qeverisë që ofrojnë shërbime thelbësore në komunitetet e tyre dhe punojnë për t’i bërë ato më të forta.

Shoh biznesmenë dhe sipërmarrës që bëjnë novacione, ofrojnë produkte e shërbime të reja, të cilat përmirësojnë jetën dhe krijojnë vende pune, në përpjekje për ta bërë Shqipërinë një vend ku të rinjtë të duan të ndërtojnë jetën e tyre. Shoh përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave të pavarura që marrin përsipër rreziqe dhe mbështesin nevojat e atyre që nuk kanë zë, ndërsa organizojnë qytetarët për çështje të rëndësishme për ta dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë”, tha Wisner.

Theksin se ka vënë edhe te drejtësia e re, për të cilën ka folur me superlativa.

“Shoh gjyqtarë, prokurorë, hetues, avokatë dhe shumë të tjerë që punojnë shumë për të reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që të gjithë të jenë me të vërtetë të barabartë përpara ligjit.

Teksa NATO i afrohet ditëlindjes së 75-të, shoh anëtarë të ushtrisë shqiptare që po mbrojnë demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta prej atyre që kërkojnë t’i shkatërrojnë ato”, tha ai.

Në fund, tha se mbështetja e SHBA-së për Shqipërinë do të vijojë.

“Pra, tek festojmë sonte, le të ripërtërijmë angazhimin tonë për një jetë të denjë, për të bërë mirë dhe për ta bërë atë së bashku. Le ta mbështesim njëri-tjetrin ndërsa vazhdojmë të bëjmë punën e rëndësishme që i bën të dy vendet tona më të mira dhe më të forta dhe që i jep kuptim të gjithë jetës sonë”, përfundoi Wisner.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com