Edi Rama nuk e ka në plan të marrë një detyrë të katërt pas Ministrit të Kulturës, kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministrit të Shqipërisë.
Në një intervistë për drejtuesen e revistës “Newsbomb” Anila Basha, ai thotë se asnjë post, përfshi edhe Presidentin apo një detyrë në një organizatë ndërkombëtare nuk e jo më shumë se sa atelieja e tij.
“Mandati i tretë do të iki kur të vija dita e fundit në shtator të 2025-ës, e deri atëherë do të shihni plot punë e vepra të mira që do të marrin jetë. E kam të pamundur ta besoj se një zyrë e katërt në këtë karrierë do të më joshë dot më shumë se sa atelieja ime, ku kam shumë ide e fantazma të imagjinatës sime që më kërkojnë t’i nxjerr nga vetja dhe t’i sjell në jetë përmes syrit e dorës.
Nuk më josh asnjë angazhim në politikën ndërkombëtare, siç nuk do të më kishte joshur dot as zyra e ministrit të kulturës së Francës, apo ajo e kryetarit të Bashkisë së Berlinit, sikur teorikisht ta fantazoja për një moment, duke u kthyer në kohën kur vendosa të hyj në të parën, apo të bëj fushatë për të hyrë e ndenjur 11 vjet në të dytën”, thotë Rama.
Aq i bindur është për këtë, saqë brenda të njëjtës pyetje e përsërit dy herë.
“Kjo e kryeministrit është zyra e tretë dhe e fundit e karrierës sime publike në politikë, tjetra do të jetë atelieja e “rrobaqepësisë” së ëndrrave të mia artistike, ku dua ta mbyll udhëtimin tim në këtë jetë me bindjen se çfarë mu dha nga Zoti e nga ata që më besuan, e ktheva sa dita e sa munda, pa u kursyer në asgjë dhe për asgjë, e me urimin që lashë mbrapa një kujtim të mirë”./m.j