Në fillim të muajit nëntor, deputeti Agron Shehaj lajmëroi largimin e tij nga grupimi i Sali Berishë, i zhgënjyer me rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale të 14 majit. Duke mos u përshtatur me “betejat” e Rithemelimit, Shehaj deklaroi në atë kohë në emisionin “Open” se nuk mund të anashkaloheshin problemet, por duhet t’iu jepej zgjidhje.
“Zgjidhja nuk mund të jetë mos bëjmë asgjë, nuk mund të bëjmë sikur nuk shikojmë, të bëjmë sikur me idenë se problemet do zgjidhen vetë. Duke ndjekur politikën e përditshme dhe aksionet e përditshme opozitare që janë të drejta, thjesht mendoj që ne duhet t’i japim elektoratit tonë një alternativë të besueshme”, u shpreh Shehaj.
Afro në muaj më pas, Shehaj ka lajmëruar themelimin e një lëvizjeje të re politike. Në një postim në Facebook, ai shkruan se është i vetëdijshëm që ndryshimi duket i vështirë, por “sëbashku mund t’ia dalim”, shkruan Shehaj, duke ftuar njerëzit që t’i bashkohen.
“Shqipëria ka sot nevojë për një alternativë të re, të ndershme dhe të aftë. Shqiptaria ka nevojë për një qeveri që nuk vjedh qytetarët e saj.
Kjo nuk është e lehtë, përkundrazi, do jetë shumë e vështirë, por është e vetmja zgjidhje e mundur.
Me këtë bindje kam vendosur të punoj mbi krijimin e një levizje politike të re, moderne dhe të ndershme. Që ka një qëllim të vetëm: të dëgjojë dhe të mbrojë interesat e qytetarëve që përfaqëson.
Më 2017 zgjodha të largohesha nga biznesi privat për t’u marrë me politikë sepse besoj se Shqipëria duhet të drejtohet nga njerëz me integritet, që përdorin pushtetin për të punuar për njerëzit, jo për të pasuruar veten.
Jam i vetëdijshëm që kjo mund të duket e vështirë në vendin tonë, prej vitesh një nga më të korruptuarit në Europë, por unë mendoj se së bashku mund t’ia dalim.
Për këdo që beson se zgjidhja, pavarësisht se e vështirë, mund të vijë vetëm nga këmbëngulja dhe puna jonë, ju ftoj të më kontaktoni këtu në rrjetet sociale”, përfundon Agron Shehaj.