Prokuroria e Posaçme mori në dorëzim vendimin e Kuvendit, që u mor sot në seancë plenare, për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, Sali Berisha. Vendimi i protokolluar tashmë në dorën e SPAK, pritet të merret në dorëzim nga dy prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja, të cilët po hetojnë çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Pasi të njihen me relacionin, ata do t’i drejtohen Gjykatës Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, nga detyrim paraqitje dhe bllokim pasaporte në masën “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”. Nga ana ligjore, SPAK nuk ka një afat të caktuar kohor për të dorëzuar këtë kërkesë në GJKKO.
Pas dorëzimit të kërkesës Gjykata e Posaçme ka 48 orë kohë për tu shprehur sa i takon ndryshimit të masës së sigurisë për Berishën. Ky vendim nga gjykata merret në dhomë këshillimi, por ekziston mundësia të bëhet edhe me debat, ku ftohen palët për të diskutuar.
Me vendimin e Gjykatës së Posaçme njihet më pas SPAK, dhe nëpërmjet Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policisë së Shtetit, ekzekutohet masa e caktuar nga togat e zeza. Në rast të masës së sigurisë arrest shtëpie, Berisha brenda 5 ditësh duhet të paraqitet në seancë gjyqësore për t’ia komunikuar edhe nga trupa gjykuese.
Mirëpo ky vendim i arrestit mund të shmanget në rast të një tërheqjeje nga Sali Berisha. Avokatët e tij mund t’i drejtohen SPAK me anë të një shkrese ku pranojnë të respektojnë vendimin detyrim paraqitje, që u refuzua disa herë.