Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj në një intervistë në “News Line” në ABC News foli për situatën politike në Partinë Demokratike, duke u ndalur tek bashkimi mes Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit që deri dje dukej thuajse i pamundur.
Ai shtoi se opozita nuk e ka më luksin të vazhdojë më të njëjtin debat, por duhet të bashkohet tek kauzat e rëndësishme.
Gjatë kësaj interviste Gjekmarkaj nënvizoi se në një situatë ku ndodhej opozita, nuk është aspak koha për të vazhduar debatin për “non grata”, duke shtuar se nuk ka bërë asnjë marrëveshje për rikthimin e tij në PD.
“Është një bashkim vullnetesh opozitare pas një rrugëtimi të gjatë në një debat të egër prej dy vitesh. Një debat që e ka dëmtuar shumë opozitën në Shqipëri dhe i ka shërbyer pamasë pushtetit, qeverisë për ta mbajtur opozitën të ndarë. Ne kemi debatuar për problemet reale dhe një pjesë prej nesh i kanë qëndruar idesë deri në fund.
Ka patur një ndarje që në vetvete ka kënaqur qeverinë më shumë se këdo tjetër. Në zjarrin që u ndez secili prej nesh ka hedhur drutë e veta. Ne kemi mbajtur qëndrime të caktuara dhe nuk jemi tërhequr nga qëndrimet që kemi mbajtur, por ndonjëherë realiteti dhe nuancat nuk përputhen. Shumica ka zgjedhur të njohë për PD atë që nuk ka vulën. Ne kemi pranuar që si pakicë t’i bashkohemi shumicës për të bërë opozitë. Çështja është do bëjmë apo jo? Dje jemi shfaqur tek selia e PD.
Prej dy vitesh kemi kërkuar që PD të hyjë në një proces të ri transformimi. Nuk kemi pasur sukses, fakt është që të dy qëndruan në pozicione të ndryshme, por ndryshimi është se Berisha ka një masë të madhe të mbështetjes së demokratëve.
Mbështetja ndaj tij është parë, retorika politike e ditë është gjë tjetër dhe shifrat janë realitet dhe gjë tjetër. Tani nëse duam të bëjmë opozitë këto shifra duhet t’i mbledhim apo t’i përçajmë akoma më shumë. Duhet të tregohemi realist duke tejkaluar edhe vetveten. Mendoj që është një qëndrim që i duhet vendit”, shtoi ai./m.j