Parlamenti i Turqisë voton pro anëtarësimit të Suedisë në NATO, Hungaria ‘pengesa’ e fundit

Pas shumë muajsh konsultimesh, Asambleja Kombëtare e Turqisë miratoi të martën me shumicë dërrmuese, por edhe me shumë abstenime, protokollin për pranimin e Suedisë në NATO .

Hungaria është tani e vetmja pengesë për zgjerimin e Aleancës së Mbrojtjes. “Pro” votuan 287 deputetë, kundër 55 dhe 4 abstenuan nga gjithsej 600 deputetë të Asamblesë Kombëtare të Turqisë.

Hapi i radhës është nënshkrimi i protokollit nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan përpara se të depozitohet në Departamentin e Shtetit të SHBA në Uashington.

Zakonisht procesi i nënshkrimit presidencial dhe publikimi në Fletore është i shpejtë, por ka mundësi që të ketë vonesa të tjera.

Lideri i Partisë së Veprimit Nacionalist, partner i qeverisë së Erdoganit, Devlet Bakhceli, kishte deklaruar më herët se do ta mbështeste anëtarësimin e Suedisë në NATO në votimin e Asamblesë Kombëtare.

Opozita kryesore, Partia Popullore Republikane Kemaliste ishte gjithashtu pro të anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Protokolli i anëtarësimit të Suedisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut u miratua më 26 dhjetor nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Asamblesë Kombëtare Turke, ai u vu në rendin e ditës të seancës plenare nga 16 janari, në seancën e parë pas festave të Vitit të Ri.

“Sot jemi një hap më afër anëtarësimit të plotë të NATO-s”, komentoi kryeministri suedez Ulf Kristerson.

Në një postim në platformën X, ai është shprehur i kënaqur për ratifikimin nga parlamenti turk të protokollit për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com