Autoritetet greke në kryeqytetin Athinë janë vendosur në alarm mëngjesin e kësaj të marte, pasi një burrë po kërcënon nga ballkoni i shtëpisë së tij se do të hedhë në erë bllokun e banimit ku jeton.
Ndërtesa ku banon personi në fjalë ndodhet në rrugën Acharnon shumë pranë Ministrisë së Zhvillimit Rural, e cila është evakuar nga ekipet antieksploziv, raporton A2. Po ashtu është evakuuar godina ku banon burri me origjinë nga Siria dhe pallatet rreth saj.
Sipas mediave helene, burri pretendon se posedon thika dhe një bombol gazi, duke kërcënuar se me të do të hedhë në erë gjithë bllokun e banimit.
“Për shkak të situatës na është thënë që të evakuojmë ndërtesën e Ministrisë së Zhvillimit Rural”, tha një përfaqësues i ministrisë, citon A2.
Për shkak të operacionit për evakuim është ndaluar qarkullimi në rrugën Acharnon dhe në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikës, ambulanca, skuadra antieksploziv EKAM dhe forca të shumta policie.