Palët flasin për luftë të madhe, Izraeli godet mbi 100 raketalëshues të Hezbollahut në Liban

Pas shpërthimit të pajisjeve elektronike, erdhën raketat. Izraeli ka kryer sulme të gjera ajrore në Libanin jugor duke synuar pozicionet e grupit të mbështetur nga Irani, Hezbollahut. Ushtria e Tel Avivit thotë se avionët e saj luftarakë goditën më shumë se 100 raketahedhës, si dhe një depo armësh. Kjo vjen pasi Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant konfirmoi nisjen e fazës së re të luftës.

“Kjo është një fazë e re e luftës, përfshin mundësi por edhe rreziqe të mëdha. Hezbollahu mendon se po persekutohet, por fushata e veprimeve ushtarake dhe mbrojtëse do të vazhdojë. Qëllimi ynë është të sigurojmë kthimin e sigurt të komuniteteve veriore të Izraelit në shtëpitë e tyre. Me kalimin e kohës, Hezbollahu do të paguajë një çmim tepër të lartë. Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të siguruar kthimin e pengjeve dhe për të rrëzuar organizatën terroriste Hamas”, tha Yoav Gallant, ministër i Mbrojtjes i Izraelit.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është zotuar se do të ndëshkojë ashpër Izraelin pas shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit të përdorura nga grupi, duke vrarë më shumë se 30 njerëz dhe plagosur mijëra të tjerë.

“Armiku me këtë sulm ka shkelur të gjitha rregulloret, ligjet dhe vijat e kuqe. Kjo është një shpallje lufte. Ne nuk do të ndalemi derisa të përfundojë lufta në Gaza, pavarësisht nga çmimi që paguajmë. Rezistenca do të vazhdojë operacionet në Libanin jugor”, u shpreh Hassan Nasrallah, lider i Hezbollah.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësim të madh për një zgjerim të mundshëm të luftës në Lindjen e Mesme. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë krizën më vonë të premten.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com