“Pa ndihma, Rusia do të fitojë”, Zelensky: SHBA po gabon me bllokimin e fondeve

Volodymyr Zelensky kërkon me ngulm që Kongresi Amerikan të zhbllokojë ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën, në të kundërt Rusia do ta fitojë luftën.

Në një intervistë për median amerikane PBS News, lideri i Ukrainës ka paralajmëruar vendet perëndimore se ngërçi që ka prekur Dhomën e Përfaqësuesve rrezikon të çojë në një përshkallëzim të situatës: “Unë ju them sinqerisht se pa këtë mbështetje nuk kemi asnjë shans për të fituar kundër Rusisë. Sot raporti ynë i predhave dhe artilerive është një me dhjetë në favor të rusëve. A mund të rezistojmë? Jo. Ndryshe po sillen amerikanët me Izraelin. Shteti hebre, i vetëm, nuk do të ishte në gjendje të mbrohej nga një sulm kaq i fuqishëm”.

Zelensky nuk i ka ndalur kritikat ngaj kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, duke e quajtur të turpshëm propozimin e tij për të ndihmuar Izraelin, por jo Ukrainën: “Është e çuditshme. Të bën të mendosh se kjo është politikë e pastër? Të jem i sinqertë, është turp për botën. Dhe është turp për demokracinë dhe të gjithë ata të cilët flasin vetëm për demokraci”.

Presidenti i Ukrainës është i bindur se Kina mund të ndihmojë në arritjen e një “paqeje të drejtë” për Kievin duke marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare të paqes në Zvicër, në qershor: “Unë jam i bindur se Samiti i parë Global i Paqes në Zvicër mund të fillojë rrugën e vërtetë për arritjen e një paqeje të drejtë për Ukrainën. Roli aktiv i Kinës sigurisht që mund të përshpejtojë përparimin tonë në këtë rrugë”.

Letonia ka njoftuar dërgimin e një sasie dronësh për Ukrainën, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar për armatosjen e Kievit. Letonia bën me dije se objektivi përfundimtar i koalicionit është t’i dorëzojë Ukrainës një total prej një milion dronësh.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com