Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vrasja e Liridona Ademajt është krim montruoz dhe se autori duhet të marrë dënimin e merituar. Reagimi i Presidentes vjen një ditë pasi u arrestuan tre të dyshuar për këtë rast, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, Naim Murseli.
Osmani ka thënë se ky “krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar” për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin.
Më tej, Osmani ka deklaruar se është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.
“Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive”, ka shkruar Osmani.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla do të dalin nesër para gjykatës, lidhur me rastin e vrasjes së 30-vjeçares, Liridona Murseli. Murseli i cili është bashkëshorti i të ndjerës dyshohet se ka porositur vrasjen e saj, duke e paguar 30 mijë euro një person që ta kryejë krimin.
Zyrtarisht ende s’ëhtë konfirmuar, mirëpo raportimet në media janë se Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjecares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen dhe se edhe Murseli e ka pranuar këtë para hetuesve.