Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut dhe kandidati për president Bujar Osmani është përplasur me homologun serb Ivica Daçiç në Forumin Diplomatik të Antalias.
Daçiç tha se Serbia kërkon që BE-ja, të respektojë integritetin e saj territorial. Kjo deklaratë vjen pas njoftimit se Komisioni Evropian dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm kanë nisur zyrtarisht procedurën për ndryshimin e pozicionit negociues të BE-së për Kapitullin 35 për Serbinë, për të përfshirë detyrimet për të cilat është rënë dakord në Ohër
“Unë ju kërkoj vetëm të respektoni integritetin tonë territorial dhe të mos lejojmë ndikimin perandorak të askujt. Marrëveshjen e Brukselit për bashkësinë e komunave serbe e kam nënshkruar në vitin 2013. Për mua BE-ja atëherë dhe tani është e paaftë të zbatojë atë që kemi nënshkruar. Ju mbështes në çdo gjë dhe gjithmonë do të keni mbështetje për integrimin në BE, përderisa kujdeseni se si ta trajtojmë Serbinë në aspektin e integritetit tonë territorial.”
Në kundërshtim me të, në fjalën e tij, Osmani theksoi faktin se për integritetin territorial është e rëndësishme të shikohen vendimet përkatëse të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë.
“Për integritetin territorial është e rëndësishme të shikohen vendimet përkatëse të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Parashikoj se Rusia do ta kthejë fokusin e saj drejt Ballkanit Perëndimor pas luftës në Ukrainë. Zgjidhja është rritja e qëndrueshmërisë në rajon ndaj për të arritur këtë qëllim është thelbësor integrimi euroatlantik.”
Forumi Diplomatik i Antalias mblodhi rreth 4500 pjesëmarrës, duke përfshirë 19 drejtues shtetesh dhe 73 ministra, si dhe 57 përfaqësues ndërkombëtarë.