Dy ditë nga ulja e qeverisë dhe opozitës në tryezë për të çuar përpara një prej reformave më të rëndësishme politike, në një intervistë të posaçme për Vizion Plus kryetarja në detyrë e OSBE në Tiranë, Clarisse Pastory thotë se “zgjedhorja” nuk duhet të përjashtojë asnjë faktor politik.
Për grupimin më të madh të deputetëve demokratë që drejtohen nga Gazmend Bardhi dhe që ende nuk e kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në punimet e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore për shkak se janë në mosbindje civile ndaj shumicës socialiste, diplomatja e sheh si të domosdoshme pjesëmarrjen e tyre.
Intervistë me Clarisse Pasztory OSBE:
Enkelejda Mema, gazetare, Vizion Plus: Dje ju u takuat me dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore. z. Gjiknuri dhe z. Alibeaj. Në platformën “X” shkruajtët : Do të vazhdojmë me takimet gjithëpërfshirëse për këtë reformë të rëndësishme. Kur thoni gjithëpërfshirëse çfarë nënkuptoni, që pjesë e këtyre takimeve janë edhe grupimi më i madh i deputetëve demokratë të drejtuar nga z.Gazmend Bardhi?
Clarisse Pasztory, kryetare në detyrë, OSBE: Gjithëpërfshirëse, pikë së pari, do tëthotë me bazë të gjerë, do të thotë që të gjithë
Enkelejda Mema, gazetare, Vizion Plus: Veçanërisht interesi është për grupimin e drejtuar nga Gazmend Bardhi
Clarisse Pasztory, kryetare në detyrë, OSBE: Të gjitha partitë politike, por jo vetëm partitë politike – të marrin pjesë, të kenë mundësinë të shprehin idetë e tyre, të bëjnë sugjerime dhe të dëgjohen. Kjo do të thotëgjithëpërfshriëse. Së dyti, po, sigurisht, nuk kam asnjë dyshim që edhe grupi i z. Bardhi duhet të përfshihet njësoj. Mendoj se ju i referoheni çështjes së kryesimit dhe këtë u mundova të them më parë. Për mua, kjo është një çështje dytësore: kryetari kryeson, kryetari organizon punën e komisionit, kryetari nuk vendos vetë për rezultatet. Janë pjesëmarrësit, të gjithë ata që marrin pjesë aktivisht, që kontribuojnë, që bëjnë sugjerime, të cilët vendosin, dhe, në fund, nuk është as komisioni i posaçëm dhe madje as komisioni i përhershëm, por i tërë parlamenti që voton për ndryshimet. Pra, është një proces parlamentar, ku të gjithë ata që janë në parlament kanë rol. Tani jemi në fazën kur, më në fund mund të them, do të fillojë puna përmbajtësore në komisionin e posaçëm, dhe shpresoj vërtet që të gjithë pjesëmarrësit ta përdorin këtë instrument, këtë komision, të shkojnë atje, të marrin pjesë, të bëjnë sugjerime aktive. Sot pasdite do të takohem me shumë prej tyre, përfshirë grupin që përmendët, dhe do t’u them saktësisht të njëjtën gjë. Do të zhgënjehesha pa masë nëse ata nuk do të merrnin pjesë dhe nëse do ta humbin mundësinë për të bërë sugjerimet e tyre, të cilat jam e bindur që janë tëmirëmenduara dhe tëmirëmbështetura.
Enkelejda Mema, gazetare, Vizion Plus: Kur duhen pak më shumë se një vit nga zgjedhjet parlamentare të 2025 dhe kur ODIHR dhe Gjykata Kushtetuese kanë dhënë rekomandimet dhe vendimet e tyre, është kohë e mjaftueshme që politika të përmbushë detyrimet e saj, për të bërë ndryshimet e kërkuara në kodin zgjedhor?
Clarisse Pasztory, kryetare në detyrë, OSBE: Mendoj se, si për çdo vendim politik, vlen thënia: aty ku ka vullnet politik, ka një zgjidhje. Siç e thatë ju shumë saktë, këto rekomandime nuk janë veçanërisht të reja. Disa prej tyre vijnë nga zgjedhjet e vitit 2021, disa nga zgjedhjet e mëvonshme vendore. Mendoj se palët i njohin mirë. Po ashtu, nuk është se nuk janë diskutuar më parë. Tani është koha për t’u ulur dhe për të arritur në përfundime. Është e rëndësishme të mbahet parasysh se, si rregull, kuadri zgjedhor duhet të jetë realisht i përfunduar jo më vonë se një vit përpara zgjedhjeve. Kjo është praktikë e mirë ndërkombëtare dhe kjo kohë i duhet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si edhe institucioneve të tjera përgjegjëse për të bërë zbatuar ndryshimet dhe për t’u përgatitur siç duhet. Pra, nëse keni zgjedhje pranverën e vitit të ardhshëm, tik-taku i kohës nuk ndalet, siç themi gjithmonë, dhe është mirë të shpejtoni.
Enkelejda Mema, gazetare, Vizion Plus: Komisioni i Reformës Zgjedhore edhe pse i ngritur prej tre vitesh deri më tani nuk ka asnjë vendimarrje, cili është apeli për shumicen socialiste dhe opozitën, kur të premten ai pritet të rinisë punën?
Clarisse Pasztory, kryetare në detyrë, OSBE: Ne po flasim me të gjithë, dhe jam shumë e inkurajuar, t’ju them të vërtetën, që ka kaq shumë vëmendje tani, përfshirë edhe nga media. Është shpresëdhënëse. Roli ynë nuk është të apelojmë, por të ndihmojmë, me të vërtetë të ndihmojmë. Nëse njerëzit duan ndihmën tonë, qoftë për zgjidhje teknike, qoftë si lehtësuese midis palëve politike, ne jemi më se të gatshëm ta bëjmë këtë, dhe kur them ne, kam parasysh si Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, ashtu edhe ODHIR-in, dhe shpresojmë të ofrojmë më shumë ekspertizë, edhe duke sjellë ekspertë këtu. Ajo që është e rëndësishme të mbahet parasysh është se çështjet me të cilat përballet Shqipëria nuk janë as të reja, as unike, ashtu siç nuk ka as përgjigje të sakta apo të gabuara. Nuk është formulë matematikore, dy plus dy bëjnë katër, apo mos bëjnë pesë? Jo. Duhet të gjeni një sistem që ju përshtatet më së miri juve dhe që vlen për çështjet tuaja, dhe gjithashtu duhet të mos harroni se reforma zgjedhore, ashtu si të gjitha reformat, vazhdon gjithmonë, nuk është një gjë që bëhet njëherë e merr fund me aq. Nuk është se merrni një vendim sot dhe ai do të qëndrojë në fuqi për 100 vitet e ardhshme. Gjërat evoluojnë, gjërat ndryshojnë. Mendoj se tani duhet të bëjmë më të mirën për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të bëra me shumë dashamirësi, si edhe vendimet shumë të rëndësishme, dhe realisht të detyrueshme, të Gjykatës Kushtetuese, për t’i trajtuar ato me qëllimin më të mirë, me synimin për t’i vënë në jetë. Dhe përsëri, siç po thosha, kjo nuk është një punë që bëhet një herë dhe aq. Pas zgjedhjeve të ardhshme, do të ketë rekomandime të tjera dhe ne do të vazhdojmë. Është një punë e vijueshme, por tani është koha për të zgjidhur një sërë çështjesh të mbetura, që partitë politike i njohin shumë mirë, për ta përmirësuar sistemin dhe për ta bërë sistemin model për të gjithë rajonin.
Enkelejda Mema, gazetare, Vizion Plus: Kur ju thoni që do te ndihmoni në çështje politike, çfarë nënkuptoni?
Clarisse Pasztory, kryetare në detyrë, OSBE: Unë mendoj se ju i njihni shumë mirë çështjet kryesore. Janë dy apo tri çështje që dalin nga Gjykata Kushtetuese, siç janë votimi nga jashtë vendit, formula e llogaritjes së mandateve dhe çështja e pragut. Dhe kjo vjen nga Gjykata Kushtetuese. Këto nuk janë rekomandime të OSBE-së, por vijnë nga arbitri i shtetit tuaj ligjor, që është Gjykata Kushtetuese, prandaj jam e sigurt se të gjithë do t’i marrin shumë seriozisht. Kur bëhet fjalë për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, do të thosha se ato më kryesoret kanë të bëjnë me hetimin e shpejtë dhe ndjekjen e pretendimeve për shkelje të rënda zgjedhore, si shitblerja e votës, presioni ndaj zgjedhësve, etj. Grupi i dytë ka të bëjë me fshehtësinë e votës, e cila duhet të jetë e garantuar. Megjithëse ka pasur përmirësim të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit, gjë që është pasqyruar edhe te rekomandimet, ata thonë që votimi në grup, votimi familjar dhe shitblerja e votës vazhdojnë të jenë problem, madje sa u takon këtyre nuk bëhet fjalë as për rregulla të reja, por për zbatim dhe edukim më të mirë. Çështja e tretë, që ju takon edhe juve si media, ka të bëjë me një punë më e mirë nga media gjatë zgjedhjeve. Jini më kërkues, më kureshtarë. Shohim shumë raste kur media thjesht kopjon materialet që merr nga partitë politike apo institucionet. E kuptoj që kjo jua bën punën më të lehtë, por a jua bën më të bukur? Mendoj se duhet të jeni më kërkues dhe ta bëni punën sa më interesante për popullatën, që ajo të ndjekë lajmet, të përfshihet dhe të mendojë për atë që po debatohet në thelb.
Enkelejda Mema, gazetare, Vizion Plus: Reforma Zgjedhore gjithnje ka qenë produkt i diskutimeve, debateve, propozimeve mes mazhorancës dhe opozitës. Mendoni se komisioni bipartizan eshte rruga qe politika duhet te ndjekë?
Clarisse Pasztory, kryetare në detyrë, OSBE: Nuk është modeli i vetëm apo roli i vetëm. Mendoj se është një model i testuar mirë në këtë vend, por, siç thuhet, për tangon duhen dy vetë. Çfarë është politika, pavarësisht nga çështja që diskutohet, në këtë rast zgjedhjet? Politika është përfaqësimi, balancimi i interesave dhe arti i gjetjes së një kompromisi. Në zgjedhje është normale që partitë politike të kanë interesa të ndryshme, bëhet fjalë për të fituar zgjedhjet. Kjo është krejtësisht e kuptueshme, nuk është jonormale dhe është njësoj si në çdo vend tjetër në botë. Tani është koha për të gjetur një sistem që plotëson kërkesat e këtij vendi, në këtë kohë, për vitin e ardhshëm 2025. Kemi komisionin bipartizan të ngritur nga parlamenti. I ka shtyrë afatet disa herë, por tani është e vështirë të shtyhen sërish, sepse, siç thashë, koha ecën. Ne nuk kemi edhe një vit tjetër kohë, kemi edhe disa javë apo, në rastin më të mirë, disa muaj. Mendoj se të gjithë duhet të përdorin mundësinë për t’u përfshirë në këtë proces, që, më në fund, po fillon. E di që ka probleme për kryesimin, kush e çfarë. T’ju them të drejtën, mendoj se kjo është paksa jashtë debatit. Një proces gjithëpërfshirës do të thotë që sa më shumë aktorë të përfshihen, të jenë pjesë, të kontribuojnë dhe të dëgjohen. Këtu futen edhe partitë politike, por jo vetëm ato, por edhe shoqëria civile, aktivistët e të tjerë. Të gjithë duhet të përfshihen, të gjithë duhet të bëjnë propozimet e tyre, të cilat pastaj diskutohen dhe, më pas, siç ndodh në politikë dhe në demokraci, merren vendimet dhe jo gjithmonë të gjithë bien dakord për gjithçka. Por, në përgjithësi, paketa duhet të dëgjohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të jetë sa më konsensuale që të jetë e mundur.
Enkelejda Mema, gazetare, Vizion Plus: OSBE-ODIHR ka bërë një sërë rekomandimesh ndër vite, shumë prej tyre nuk janë reflektuar në kodin zgjedhor. Sa thelbesore janë që këto rekomandime të mos mbeten në letër, por të përgatitet kuadri ligjor?
Clarisse Pasztory, kryetare në detyrë, OSBE: Janë shumë thelbësore, sigurisht, përndryshe nuk do t’i kishim bërë. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it bëhen në të gjitha vendet ku ODIHR-i vëzhgon zgjedhjet, pra në tërë vendet e OSBE-së. Ato bëhen me qëllimet më të mira. Ka një arsye që quhen rekomandime: janë rekomandime, jo imponime. OSBE-ja nuk vjen të thotë “duhet të bëni këtë”. Ne, me qëllimin më të mirë, ju japim këshilla dhe udhëzime se çfarë mund të bëni për të përmirësuar sistemin tuaj. Shumë rekomandime janë zbatuar ndër vite. Zgjedhjet e fundit nuk kanë qenë të parat që kemi vëzhguar, dhe nëse i krahasoni rekomandimet e dy zgjedhjeve të fundit të vitit ’21 dhe ’23 me ato të para 20 viteve, do të shihni përmirësim të madh. Pse? Sepse a) shumë rekomandime janë zbatuar dhe gjërat janë përmirësuar jashtëzakonisht, por edhe sepse rekomandimet për zgjedhjet evoluojnë gjithmonë. Mendoni, për shembull: në rekomandimet e tanishme, do të gjeni çështje që kanë lidhje me teknologjinë. Këto rekomandime nuk i gjeni dhjetë vjet më parë, thjesht sepse kjo teknologji as nuk ekzistonte atëherë. Pra, rekomandimet nuk janë statike, ato evoluojnë dhe mbështeten mbi situatën aktuale. Dhe po, nëse ODIHR-i ju bën rekomandime të cilat nuk janë zbatuar pas katër vjetësh, atëherë,me shumë gjasa, do t’jua kujtojë në zgjedhjet e radhës, sërish, jo si dënim – por si një kujtesë dhe si njëaide-mémoire.
Enkelejda Mema, gazetare, Vizion Plus: Nëse në të ardhmen, qeveria dhe opozita nuk arrijnë të gjejnë dialogun për reformën zgjedhore, roli i OSBE do të mbetet vetëm teknik apo edhe politik?
Clarisse Pasztory, kryetare në detyrë, OSBE: Roli ynë është të dyja. Së pari, janë entitete të ndryshme të OSBE-së të përfshira. Jemi ne, Prezenca e OSBE-së, aktualisht e përfaqësuar nga unë, është edhe ODIHR-i me ekspertizën e tij. Ne jemi plotësisht të gatshëm, nëse na kërkohet, të ndihmojmë me zgjidhje teknike – pra, nëse njerëzit pyesin si ta zgjidhim këtë, çfarë rekomandoni, cilat janë praktikat më të mira, ne ju ndihmojmë. Po ashtu, jemi plotësisht të gatshëm dhe ofrohemi për të lehtësuar kompromisin politik, nëse na kërkohet. Ne kurrë nuk imponohemi, por nëse na kërkohet që të ulim bashkë njerëzit dhe të përpiqemi të krijojmë kompromis, jemi shumë të gatshëm për ta bërë këtë. Por është e rëndësishme të kemi gjithmonë në mend: ne nuk jemi aktorë, ne nuk jemi vendimmmarrës dhe unë as nuk mundem dhe, ç’është e rëndësishme, as nuk dua të zëvendësoj vullnetin politik vendas. Këto janë zgjedhjet tuaja, kjo është reforma juaj zgjedhore, ky është procesi juaj, qëështë në të mirën e qytetarëve dhe të entitetit tuaj politik të quajtur Shqipëri dhe ne jemi këtu për të ndihmuar dhe për të bërë aq shumë ose aq pak sa na kërkohet. Na përdorni, na thërrisni – ju presim – por mos mendoni se do të zgjidhim gjithçka për ju./vizionplus