Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe përkrahësit e tij mbështesin opsionin e bashkimit të çdo faktori opozitar, por kusht mbetet që pjesë e procesit të mos jetë ish-kryeministri Sali Berisha.
Në një intervistë për RTSH, nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri, tha se PD është është koherente në qëndrimin e vet për të shpallurit non grata.
“Nuk mund të mendojmë të shkojmë përpara pa mbështetjen e aleatëve tanë dhe aleatët tanë na kanë vënë një kusht. Prandaj themi që qëndrojmë krah aleatëve… Është një standard që Partia Demokratike e ka ruajtur kundrejt kundërshtarëve politikë dhe pa diskutim edhe brenda nesh,” shprehet znj. Pampuri.
Thënë këtë, federata e krijuar nga 11 parti të opozitës shihet nga Pampuri si një bashkim mekanik që nuk do shërbejë për maksimalizimin e votave të së djathtës.
Nënkryetarja e PD-së tha për RTSH-në se PD-ja nuk është në pazar me mazhorancën për hartimin e reformës zgjedhore. Në këtë mënyrë ajo përgënjeshtron akuzat e mbështetësve të Berishës, sikundër edhe të Gazment Bardhit, se Basha–Rama kanë pakt për Kodin e ardhshëm Zgjedhor.
“Mënyra më e mirë për të luftuar tjetrin është mënyra si ti ke vepruar. Për të kuptuar tjetrin si vepron sheh mënyrën si ai lufton,” shprehet znj. Pampuri.
Demokratja thekson se bashkimi i opozitës është një proces që duhet të vijë përmes reflektimit të të gjithë hierarkisë, nga baza deri te përfaqësuesit e saj më të lartë.
/a.r