Në të zakonshmen e një seance parlamentare, është përplasja mazhorancë-opozitë, ku kryetari i opozitës dhe deputetë të saj tentojnë të zaptojnë foltoren, ndërsa kryetarja e Kuvendit përpiqet t’i ndalë ata.
Ka ndodhur sot që Elisa Spiropali t’i lutet Sali Berishës që të paraqitet në foltore për të mbajtur fjalim. Është dëgjuar sot kryetarja e Kuvendit të thërrasë disa herë emra të deputetëve të opozitës që të shkojnë në foltore për të mbajtur fjalimin.
Një interpelancë e pamundësuar deri tani me zv/kryeministren Balluku ka shkaktuar protestën e Shehajt, i cili qëndroi përgjatë gjithë seancës pranë foltores, duke mos lejuar deputetët të mbanin fjalën e tyre. Por, ndërsa kjo nuk ka shkaktuar ndonjë reagim edhe aq të ashpër tek deputetët e mazhorancës, ka qenë i dukshëm zemërimi i deputetëve të opozitës kundër Agron Shehajt, që agravoi deri në përplasje fizike, kur Flamur Noka e shtyu Shehajn dhe i përplasi telefonin, ndërsa Xhelal Mziu iu hakërrye dhe përdori fjalor fyes e banal ndaj ish-kolegut opozitar.
I gjithë aksioni i Partisë Demokratike u harxhua sot kundër ish-kolegut të tyre, deputetit Agron Shehaj, aktualisht kryetar i partisë Mundësia.
Nëse Agron Shehaj do të kishte qenë në vendin e Gazment Bardhit, Flamur Nokës, Xhelal Mziut e të tjerë deputetë të opozitës, e nëse do të kishte tentuar t’i ndalonte protestën për bllokimin e foltores, padyshim që Shehaj do të ishte shpallur menjëherë armik i opozitës dhe aleat i pushtetit.
Kjo betejë e pakuptimtë brenda opozitës, që duket sa komike aq dhe dramatike, na rrëfen të vërtetën e opozitës shqiptare që shfaqet në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, tërësisht jashtë misionit të saj.
Përballë kësaj opozite, deputetët e mazhorancës i qasen me këshilla opozitës. Kjo opozitë ka mundësuar që kjo mazhorancë në mbyllje të mandatit të tretë, megjithë mëkatet që vijnë prej pushtetit të gjatë, e ka luksin të shfaqet me epërsi përballë një opozitë të sfilitur, të çorientuar, për tiu bërë thirrje për qetësi.