Në të njëjtën ditë me vendimin e Parlamentit për arrestimin ose jo të Berishës, ish-kryeministri tha se do të mbledhë mbështetësit e tij para kryesisë, për të nisur valën e protestave.
Berisha tha se kjo është opozita e të drejtave të mohuara, ndaj edhe nis një stine protestash.
“Do të ketë një zinxhir protestash. Ne fillojmë stinën e protestave. Pa diskutim që një projekt ka ekzistuar se asgjë nuk bëhet pa projekt. Po projekti modifikohet dhe fillohet me protesta madje edhe sporadike ku të lindin, me qëllimin më madhor që të shkohet drejt organizimeve më të fuqishme në vazhdim”, tha Berisha.
Ideja e Berishës për nisjen e protestave në momentin kur vendoset fati i tij politik nuk gjeti mbështetjen e deputetëve të grupit Bardhi, por kreu i Rithemelimit nuk e sheh si krisje mungesën e mbështetësve në terren nga një pjesë e ligjvënësve demokratë.
“Çdo njeri që kundërshton Edi Ramën është me këto protesta. Nuk kemi krisje të marrëdhënieve”, shtoi Berisha. Sakaq, grupimi i Bardhit jashtë kamerave deri më tani janë të mendimit të vazhdojnë mosbindjen civile vetëm brenda Kuvendit.
“Jo nuk ka asnjë krisje me Gazment Bardhin. Pse nuk ka? Sepse nuk u votua fare aty. E vërteta është se po të votohej, shumica do dilte për protestë. Por pikërisht se ne nuk operojmë me shumicë dhe pakicë, por ecim me mirëkuptime më të gjëra, por nëse do votohet, shumica do ishte për protestë”, u shpreh ish-kryeministri.
Ai denoncoi më tej atë e konsideron korrupsion qeveritar.
“Unë do u paraqes këtu dhjetëra e dhjetëra tendera të Rea Xhillarit dhe si përgjigje, ai doli e tha se nuk është pjesë e familjes sime. A mundet që të sillesh në këtë mënyrë? Se kush është anëtar i familjes sime e përcakton ligji për zyrtarin. Don apo nuk don ti, i ke anëtarë të familjes tënde. Kurse ai njëherë thotë janë, pastaj del që vajza nuk është. Nuk mund ta falim. Dhe ua thashë ju, do kërkohet heqja e mandatit të Edi Ramës. Do dorëzohen dokumentet, po mbledh grupin e juristëve për të kërkuar heqjen e mandatit”.
“Ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur ligjin… Asnjë krisje në grupin parlamentar nuk ka sepse procesi me grupin parlamentar është një proces i pandalshëm në vazhdim. Asnjë krisje, asnjë! Të garantoj se ata janë kontributorë shumë të rëndësishëm, të gjithë deputetët, në një arritje shumë të madhe të PD. Kanë meritë shumë. Edi Rama dhe qeveria e tij u damkos siç është- do edhe pak punë, po punë duhet edhe këtu brenda se njerëzit akoma nuk e kanë kuptuar se këtu është diktaturë-po jashtë në kancelaritë, e patë ju, Brukseli, edhe pse bëri klounin, ishte njeriu më i vetmuar”, tha Berisha.