Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje mbi operacionin e zhvilluar sot në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar “ICARO.AL”, të iniciuar nga autoritetet italiane, Policia e Shtetit në Shqipëri, në bashkëpunim me policinë italiane, SPAK, dhe agjencitë partnere ndërkombëtare, ka zbuluar dhe ndaluar disa shtetas të përfshirë në një rrjet kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Italisë dhe vendeve të Europës Qendrore.
Pesë janë të arrestuarit në Shqipëri, mes 20 masave të sigurisë në total të vendosur nga gjykata italiane në Breshia, 12 prej të cilave arrest me burg.
Mediat italiane shkruajnë se në krye të grupit kriminal italo-shqiptar ishin dy vëllezër të klanit Çela në Elbasan, Suel dhe Mario Çela. Sipas tyre, ata drejtonin operacionet e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin në Shqipëri duke shfrytëzuar bashkëpunimin e drejtuesve të autobusëve që operonin linjën Breshia-Elbasan.
“Pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rikonstruktuar organigrama e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, G.P., dhe Sh.P. Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan. Në nëntor të vitit 2021, është kryer arrestimi i një prej personave nën hetim, i cili do t’i dërgonte një sasi prej 350 kg kokainë organizatës, e cila e kryente aktivitetin në zonën e Brescia-s”, njofton SPAK.
Reagimi i SPAK
Nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Brescias, në orët e para të mëngjesit të 21.01.2025 u finalizua operacioni ICARO, në Shqipëri dhe Itali, me ekzekutimin e 12 masave të sigurisë “arrest me burg” dhe 8 masave “të marrjes në pyetje të personave nën hetim”. Personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë ishin pjesë e një organizate kriminale të trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit kokainë nga Amerika e Jugut.
Oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, nën koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut, kryhen kontrolle të shumta në Shqipëri si edhe në provincat e Brescias, Milanos, Torinos, Veronës, Bolzanos, Cremonës, Novarës, Pavias, Trentos dhe Trevisos ku u bë e mundur dhe ekzekutimi i masave të sigurisë.
Më datën 21.01.2025, në Shqipëri, janë arrestuar me qëllim ekstradimin shtetasit shqiptarë: Sh.P., I.D., E.D., E.Zh., G.B. Ndërsa arrestimi i M.M., nuk është bërë i mundur, pasi është në kërkim.
Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u rregjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut.
Në hetim ishin rreth 40 shtetas italianë dhe shqiptarë.
Pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rikonstruktuar organigrama e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, G.P., dhe Sh.P. Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan.
Në nëntor të vitit 2021, është kryer arrestimi i një prej personave nën hetim, i cili do t’i dërgonte një sasi prej 350 kg kokainë organizatës, e cila e kryente aktivitetin në zonën e Brescia-s.
Anëtarët e organizatës kriminale kanë përdorur telefona të “kriptuar” nga analiza e të cilëve ka rezultuar edhe përfshirja e tyre në brendësi të kësaj organizate kriminale shqiptare e dedikuar në trafikun ndërkombëtar të qindra kilogramëve të lëndës narkotike, kryesisht kokainë. Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë.