Personazhe të njohur të botës së krimit janë arrestuar në kuadër të aksionit të mbrëmshëm, ku u prangosën edhe zyrtarë policie, mes tyre dhe Erzen Breçani bashkë me të birin. Burime për mediet bëjnë me dije se mes personave të arrestuar janë edhe Bujar Gërmizi dhe Besmir Mustati.
Germizi, i cili aktulalisht ka mbiemrin Ajeti, akuzohet për krijim kushtesh për vrasje, ndërsa është një emër i njohur në botën e krimit në Kukës. Sakaq, i shpalluri në kërkim Ervin Mata akuzohet për trafik droge, ndërsa Dedan Gjoni akuzohet për krijim kushtesh.
Theksojmë se SPAK lëshoi 11 urdhër arreste, të cilat u ekzekutuan mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, ku u arrestuan zyrtarë të lartë të policisë. Mes të arrestuarve është Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6, Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i policisë së Tiranës, i cili u vu në pranga në afërsi të stadiumit “Air Albania”. Ndaj tij, rëndon akuza e përkrahjes së autorit të krimit. Sakaq, pas hekurave ra edhe djali i Breçanit.