Ka shkuar në katër numri i personave të arrestuar në Korçë në vijim të operacionit “Again”.
Është arrestuar këtë të diel edhe një tjetër shtetas, i cili dyshohet të jetë pjesë e grupit të përfshirë në trafikimin e 51 kg kanabis sativa drejt Greqisë. I arrestuari i katërt është Endri Pani, 43 vjeç, banues në Korçë.
Njoftimi:
Vihet në pranga 1 tjetër shtetas, i përfshirë në tentativën për trafikim drejt Greqisë, të 51 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Shkon në 4 numri i të ndaluarve, në kuadër të këtij operacioni.
Në vijim të punës për dokumentimin e plotë me prova ligjore dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit “Again” të zhvilluar më datë 08.03.2024, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, u ndalua shtetasi në kërkim:
-E. P., 43 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet intensive hetimore të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, rezulton se ky shtetas, është bashkëpunëtor me shtetasin J. S., i cili u ndalua në Pikën Kufitare të Kapshticës, në tentativë për të trafikuar me automjetin e tij, drejt Greqisë, 51 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Nga ana e Policisë po vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
/a.r