Një e moshuar është dhunuar barbarisht nga nusja e saj në Shkodër.
82-vjeçarja Nazmie Buci, u dhunua nga nusja e djalit, ndërkohë që kanë qenë fqinjët ata që e kanë gjetur të moshuarën të gjakosur dhe më pas e kanë dërguar në spital.
Policia ka ndaluar nusen e djalit, Elimira Buci.
“Komisariati i Policisë Shkodër ndaloi shtetasen E. B., 43 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi ka kallëzuar vjehrra e saj 82-vjeçe, se 43-vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. 82-vjeçarja po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër. (Ky rast është publikuar në media)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Elmira Buci dyshohet se e ka dhunuar vjehrrën me shkopin e dorës, ndërsa djali i saj, Ylli Buci e ka mbajtur të mbyllur në shtëpi.
Fqinjët shprehen se kjo nuk është hera e parë që e moshuara është dhunuar, ndërsa djali i saj nuk ka reaguar për të mbrojtur të ëmën.
Ngjarja e rëndë është bërë publike nga banorët e zonës, të cilët i bëjnë thirrje autoriteteve që të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar këto akte mizore dhe për të siguruar drejtësi për të moshuarën.
Ky rast ka tronditur komunitetin lokal, duke nxjerrë në pah problemin e dhunës në familje, sidomos ndaj të moshuarve, dhe ka nxitur kërkesat për veprime të rrepta ligjore ndaj përgjegjësve.