Qytetarët e Maqedonisë së Veriut votuan të mërkurën (24 prill) për të zgjedhur presidentin e vendit. Sipas të dhënave të publikuara deri më tani nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ku janë numëruar mbi 95% të votave, kandidatja e VRMO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska prin me 362.561 vota apo 40,09 % përballë Stevo Pendarovskit, kandidatit të koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane” të prirë nga LSDM që fitoi 180.216 vota apo 19,93%.
Ndërkohë, Bujar Osmani i Frontit Evropian, ka marrë 14.1%, ndërsa Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, mori pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, i cili ka siguruar 10% të votave.
Sipas këtyre rezultateve, dy kandidatët më të votuar, Siljanovska dhe Pendarovski do të përballen sërish në një raund të dytë zgjedhjesh që do të mbahen më 8 maj. Që Presidenti të zgjidhet në raundin e parë të zgjedhjeve, kërkohet që kandidati të marrë 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.
Në Maqedoninë e Veriut, vetëm në një rast presidenti është zgjedhur që në raundin e parë të zgjedhjeve.
/a.r