Narges Mohammadi, fituesja e Çmimit Nobel për Paqen 2023, ka nevojë për trajtim urgjent, por autoritetet iraniane të burgut kanë bllokuar transferimin e saj në spital. Arsyeja? Aktivistja nuk ka ndërmend të mbajë hixhabin.
Ankesa për refuzimin e shtrimit në spital për shkak të mbulesës vjen nga familja e nobelistes për Paqe, e cila në një deklaratë shton se shëndeti i saj është në rrezik.
Mohammadi, 51 vjeç, aktualisht është e ndaluar në burgun Evin të Teheranit. Ajo është arrestuar 13 herë në të kaluarën dhe aktualisht po vuan dënimin me 12 vite burg për “propagandë kundër sistemit”.
Sipas deklaratës, autoritetet e burgut refuzuan ta transferonin Mohammadi-n, e cila vuan nga problemet e zemrës dhe mushkërive, në një spital jashtë Evin.
Tetorin e kaluar Narges Mohammadi u shpërblye “për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran”. Një vendim që erdhi pas protestave që vazhduan me muaj në të gjithë Iranin, të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Amini, 22-vjeçarja e arrestuar për shkelje të rregullave të veshjes së grave.
Mohammadi kishte njoftuar se nuk do të mbante hixhabin në asnjë rrethanë. “Drejtorja e burgut tha se sipas urdhrave të autoriteteve më të larta, transferimi në spital pa mbulesë është i ndaluar dhe transferimi i saj është anuluar”, tha familja e saj.
Një ekip mjekësor shkoi në burg të hënën për të ekzaminuar Mohammadin dhe për të kryer një ekokardiogram pasi “burgu refuzoi ta transferonte atë në infermieri” pa mbulesë, vazhdoi deklarata. Skanimi CT tregoi dy vena me bllokime të rënda dhe presion të lartë pulmonar, që kërkonin angiografi koronare dhe skanim pulmonar.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen që kam marrë çmimin Nobel për Paqen dhe një ftesë për të mbështetur popullin iranian deri në fitoren përfundimtare. Fitorja nuk është e lehtë për t’u arritur, por është e sigurt”, thuhet në një mesazh të aktivistes nga burgu ku ajo është e mbyllur.
“Kërkesa e mbulesës përdoret nga Republika Islamike për të kontrolluar shoqërinë dhe për ta shtypur atë. Mbijetesa e regjimit autoritar dhe fetar, bazuar në gënjeshtra, mashtrime dhe frikësim, varet nga çështja e mbulesës,” shtoi ajo. “Populli iranian kërkon demokraci, liri, të drejta të njeriut dhe barazi dhe Republika Islamike është pengesa kryesore për arritjen e këtyre qëllimeve”, tha Mohammadi./Liberale.al