Koordinatorja e selisë blu për diasporën, Jozefina Topalli, është shprehur se është e vetëdijshme se detyra që ka për zgjedhjet e 11 majit është e vështirë në një kohë kaq të shkurtër, por shtoi se nuk i trembet sfidave.
Komentet Topalli i bëri në ‘Ditari i Fundjavës’ me gazetarin Erion Dushi në A2 CNN, ku tha se kur ka qenë në opozitën e parë të ish-kryeministrit Sali Berisha, ka provuar të kërcënohet me kallash në kokë për rreth 20 minuta dhe sërish nuk është tërhequr.
Ajo gjithashtu i bëri thirrje diasporës që të regjistrohen në votime, pasi sipas ish-kryeparlamentares, kjo është një mundësi që ata të jenë faktor i rëndësishëm vendimmarrës në politikën shqiptare
“Unë jam e vetëdijshme për sfidat. Unë kam provuar edhe sfida të tjera kur kam qenë në opozitën e parë. Kam provuar edhe kallashin mbi kokë për 20 minuta. Dhe kjo nuk më ka bërë që të kthehem në shtëpi dhe të them ‘jo, unë nuk duhet të vazhdoj më, sepse nuk duhet të lë fëmijët jetim’.
Por nga ana tjetër unë e di se gjysma e shqiptarëve janë brenda territorit shqiptar dhe gjysma tjetër në çdo cep të botës. E di që nuk është e thjeshtë për një kohë kaq të shkurtër, për t’i ndërgjegjësuar qytetarët se ata kanë të drejtën për të votuar.
Ata nuk janë ndalur gjatë këtyre viteve përmes remitancave, duke ndihmuar familjet e tyre me para. Ata përveç kontributit ekonomik, këtë herë duhet të bëhen pjesë edhe e aktivitetit politik. Ata mund të bëhen faktorë edhe për kthesa politike, edhe për rotacione për të ndryshuar në thelb situatën”, tha Topalli.