Papa Françesku ka anuluar për arsye shëndetësore udhëtimin e tij të planifikuar në Dubai për Cop28, konferencën e klimës që po zhvillohet këtë vit në qytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe. “Nuk jam ende mirë”, ka thënë Papa, i cili prej disa ditësh po lufton me një gjendje gripi dhe probleme me mushkëri të cilat e kanë detyruar të anulojë pjesëmarrjen në seancat dëgjimore dhe takime të ndryshme të planifikuara tashmë në Vatikan.
Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut
“Edhe pse pasqyra e përgjithshme klinike e Atit të Shenjtë në lidhje me gjendjen e gripit dhe inflamacionit të rrugëve të frymëmarrjes është përmirësuar, mjekët i kanë kërkuar Papës që të mos kryejë udhëtimin e planifikuar për ditët e ardhshme në Dubai, në kuadër të konferencës së njëzet e tetë të Palëve në Konventën Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike”, njoftoi drejtori i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni.
“Papa Françesku e ka pranuar me keqardhje të madhe kërkesën e mjekëve dhe kështu udhëtimi është anuluar”, tha zëdhënësi i Vatikanit, duke informuar se: “Meqenëse Papa dhe Selia e Shenjtë mbeten të gatshëm të jenë pjesë e diskutimeve që do të zhvillohen në ditët në vijim, mënyrat se si kjo mund të zbatohet do të përcaktohen sa më shpejt të jetë e mundur”./Liberale.al