“Nuk ishte as i kafeneve as i lokaleve”, vajza tregon anën e panjohur të Mirush Kabashit si baba: Qeshte me sy dhe

Ndërkohë që po mbahen homazhet për aktorin e madh Mirush Kabashi në Muzeun Kombëtar, para se ai të përcillet në banesën e fundit, miq, të afërm dhe kolegë po i japin lamtumirën e fundit. Për herë të parë ka folur për mediat edhe vajza e aktorit, Mendi Kabashi, e cila ka deklaruar se ai e donte shumë jetën dhe luftoi 5 vite fort kundër sëmundjes së rëndë, e cila siç duket nuk ia fali këtë rezistencë.

“Publikun e donte me gjithë zemër. I vlerësonte shumë njerëzit dhe iu dha 100% artit. Madje kishim dhe debate për këtë. Sidomos pas sëmundjes për 5 vite që e luftoi shumë fort, vijonte të dilte në skenë. Mirushi nuk ka dashur kurrë të bëhet bajat. Përzgjidhte skenat ku do të interpretonte me parimet e vlerat e tij. Një njeri që do na mungojë të gjithëve, na ka lënë pasuri të madhe”.

Aktori ka ditur ta mbajë jetën private larg syrit dhe vëmendjes së mediave, ndërsa vajza e tij ka zbuluar një anë të panjohur.

“Mirushi nuk ishte i kafeneve as i lokaleve. Ishte me Lolën (bashkëshorten) përkrah duke bërë ecje. Qeshte me sy e fliste me zemër. “Mësonte dhe na mësonte. Ishte i hapur për biseda. Unë e kam pasur shumë shok e baba. Do më mungojnë pafundësisht bisedat e tij. Të dëgjonte. Njerëzit sot kanë harruar të dëgjojnë”, tha ajo për Report Tv.

Mirush Kabashi ndërroi jetë një ditë më parë. I nderuar me titullin “Heroi i Kombit”, Kabashi do të kujtohet për dhjetëra role e karaktere të paharruara, që kanë sjellë të qeshura pa fund në jetën e shqiptarëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com