Në një takim të azilkërkuesve në Derby të Britanisë së Madhe, Ruanda ishte tema kryesore e bisedës. Në mesin e tyre, ka njerëz që konsiderohen për dëbim në Ruandë, me planin më të ri të miratuar nga qeveria britanike.
Hamzeh, 34 vjeç, nga Irani, mbërriti me varkë të vogël në Dhjetor 2022. Ai ka marrë një letër nga Zyra e Brendshme ku i thuhet se ka mundësi që ai të jetë një nga personat që do të dërgohen në Ruandë. Nëpërmjet një përkthyesi, ai shpjegon se nuk mund të ndalet së menduari për këtë dhe nuk di çfarë të bëjë. 34-vjeçari shprehet se gruaja e tij e ka paralajmëruar se nëse dërgohet në Ruandë, nuk do ta shohë më atë apo fëmijën e tyre 2-vjeçar.
Fahed, 30 vjeç, mbërriti në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël Korrikun e kaluar. Ai pretendon se është torturuar në Sudan. Gjatë fjalës së tij, ai shton se azilkërkuesit me të cilët ndan një shtëpi nuk munden as të flenë nga ideja që mund të dërgohen në Ruandë.
“Para se të vija në Britaninë e Madhe nëse do të thoshit se do të më dërgonin në Ruandë, nuk do të vija kurrë këtu. Ruanda nuk është një vend i sigurt”, thotë ai.
Masoud, 34 vjeç nga Irani, zbulon një email që ai kishte marrë nga Zyra e Brendshme që konfirmonte se edhe ai mund të konsiderohet për t’u dërguar në Ruanda. Ai thotë se këshilla e tij për azilkërkuesit e tjerë tani do të ishte “mos vini në Britaninë e Madhe”.
Megjithatë, Fatima, 26 vjeçe, nuk pendohet që erdhi në Britani. Ajo erdhi me një varkë të vogël në Qershor të vitit të kaluar. Ajo thotë se kishte frikë se mos vritej nga talebanët në shtëpi në Afganistan, sepse kishte punuar me amerikanët. E reja përlotet nga mendimi se tani do të dërgohet në Ruandë.
Së fundi, Parlamenti britanik miratoi një plan të diskutueshëm për të deportuar azilkërkuesit në Ruandë pas një përballje që përfundoi mes kundërshtimeve të shumta. Ideja për të dërguar emigrantë në Ruandë u prezantua për herë të parë nga ish-kryeministri Boris Johnson në vitin 2022, por kundërshtimet ligjore kanë penguar çdo fluturim të vazhdojë.
Plani për të dëbuar azilkërkuesit, të cilët ikin nga konflikti, varfëria dhe moti gjithnjë e më ekstrem, pritet t’i kushtojë vendit 540 milionë £ për të dërguar vetëm 300 personat e parë në Ruanda.
/a.r