Partia e Lirisë ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, pas deklaratave të forta të kreut të saj, Ilir Meta.
Ky i fundit ka folur për nepotizëm dhe tradhtarë brenda partisë, teksa ka sulmuar edhe kreun e SPAK, Altin Dumani.
Për të folur për këtë çështje, në emisionin “7pa5” në Vizion Plus” ka qenë e ftuar Silva Caka, sekretare për marrëdhëniet me publikun në Partinë e Lirisë.
Ajo tha se për PL është i nevojshëm një pastrim i vetvetes, për t’u dhënë qytetarëve një model ku ka meritokraci.
“Djegia e mandateve pati pasoja të jashtëzakonshme për qyetarët në radhë të parë e më pas për partitë që e ndërmorën atë akt. Ishte një veprim që u mor në kolektiv dhe për sa kohë merret i tillë, përpos debatit të brendshëm, ishte një vendim i marrë në grup. Ajo që po ndodh në Partinë e Lirisë ka të bëjë me një pastrim të vetvetes. Është moment që përballë një qeverie e cila ka instaluar një regjim mafioz, duke u ndodhur në këtë situatë, është mirë të kemi një alternativë tjetër për t’u dhënë qyetarëve shqiptarë. Ka nevojë të ndërmarrim disa hapa drastik, por edhe të nevojshëm. Po vijnë zgjedhjet e 2025 dhe qytetarët kanë nevojë të shohin një Parti të Lirisë tjetër ku ka meritokraci.
Duke u bërë raste të shumta, duke pasur dy njerëz që janë të një familjeje, njerëzit fillojnë dhe afrohen me familje. Nuk ka ardhur kjo gjë për një individ të caktuar, është për të gjithë rastet që dashje pa dashje mund të kenë prishur ekuilibrat e Partisë së Lirisë”, tha Caka.
Ajo foli edhe për akuzat e Metës, se në Partinë e Lirisë ka tradhtarë, teksa përmendi se për këtë është bërë dhe një denoncim në SPAK.
“Këto janë disa informacione që i di më mirë kryetari i Partisë. Ne kemi depozituar një denoncim edhe në SPAK për një ndërhyrje brenda godinës së PL, ku ka pasur dhe disa lëvizje me DVR, me kabujt, me transmetimin. Aty ka pasur njerëz që kanë ndërhyrë dhe ndërhyrja e tyre është parë nga të gjithë ne si një tentativë. Që mos të ndodhin skenare të ngjashme me tradhtarët brenda në PD ne do përpiqemi që ta ndalojmë një gjë të tillë”, tha ajo.
Caka komentoi edhe gjuhën e ashpër të përdorur nga Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
“Me nje person që merr përsipër të dërgojë mesazhe nëpërmjet kodit të mafies, me një njeri që tenton të fabrikojë prova dhe procese të paqena, që është në delirin e një njeriu që gjithë jetën ka vuajtur nga komplekset e inferioritetin, një njeri që nuk i ka shërbyer askujt veç Edi Ramës, nuk mund të kesh një gjuhë korrekte, duke u bërë të ditur qytetarëve me kë kanë të bëjnë”, u shpreh Caka.
/a.r