Ish-kryeministri nuk e përjashton përfshirjen e vajzës së tij në politikë dhe la të kuptohet se Argita Berisha do të garojë kur ai të mos jetë më në garë. A do të tërhiqet Berisha dhe t’ia trashëgojë postin Argitës para zgjedhjeve të 2025?
Pas një nga daljet e saj të rralla në ekran, në emisionin e Grida Dumës dhe pas fjalimit të Argita Malltezit në Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike, janë të shumtë ata të cilët aludojnë se vajza e ish-kryeministrit është projektuar për të marrë drejtimin e opozitës
Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë bisedës në ‘Çim Peka LIVE’, i pyetur nga gazetari Lorenc Vangjeli për fjalimin e Argita Malltezit në Kuvendin Kombëtar, është shprehur se e bija nuk do të jetë ajo që të garojë me të atin.
“Se çfarë do të bëjë Argita Malltezi në të ardhmen e saj, unë nuk mund ta them, dhe këtë ta them haptas. Por për një gjë të jeni i sigurtë, që nuk do të jetë ajo që do të garojë me të atin e saj. Për këtë 100%”, u shpreh Berisha.
“Pas meje unë nuk jam përgjegjës se çfarë mund të ndodhë. Unë them që ajo është një njeri që ka të drejtën si çdo demokrate e demokrat, të marrë pjesë në garat, cilat të dojë”.
“E vetmja gjë që nuk mund të ndodhë është që ajo të garojë me ta atin e saj. Kjo nuk ndodh. Nuk mund të bëhet partia familje”, theksoi ish-kreu i qeverisë.