Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ishte po ashtu pjesë e diskutimeve në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PD-së.
Gjekmarkaj u shpreh se në çdo bazë bashkimi apo bashkëpunimi ka “tre vija të kuqe”, të cilat janë integriteti personal, dhe kurrë nuk do të sulmojë ambasadorët e SHBA në Tiranë apo SPAK-un.
Ai shtoi se bashkimi është proces i cili ndërtohet mbi disa parime dhe koherenca, ndërsa theksoi se nuk ka kërkuar asgjë nga askush teksa iu drejtua kolegëve se duhet të harrojnë insinuatat dhe shantazhet.
“Kam një lutje! Njeriu nga natyra është trim dhe frikacak, xheloz dhe paranojak, te tjetri sheh rrezikun dhe e do sa me të sigurt rrethin. Vetëmbrojtja primitive është instinkt bazik i njeriut. Por këtu duhet të vijmë me një minimum respekti për njeri-tjetrin. Secili flet për veten nga këndvështrimi i tij. Unë mund të jetoj pa politikën, pa PD dhe pa këtë grup siç PD dhe politika mund të jetojnë fare mirë pa mua dhe pa të tjerë këtu. E kam dëshmuar në jetë që ja dal edhe si individ. Një gjë duhet të jete e qartë, nuk kam kërkuar asgjë nga askush e s’kam ndermend te kërkoj, po ta harrojë kushdo se mund të bëjë insinuata e shantazhe këtu.
Me mua nuk ndezin fare, po fare. Bie dakord me ato që tha Saimiri. Po për mua një gjë ta dijë kushdo në çdo bazë bashkimi apo bashkëpunimi, kam tre vija te kuqe, integritetin personal, nuk kam ndërmend të sulmoj kurrë ambasadorët e SHBA në Tirane dhe SPAK-un. Do ta gjykoj rast pas rasti si institucion dhe jo organizatë kriminale. Bashkimi është proces i cili ndërtohet mbi disa parime dhe koherenca. Nuk është çështje se ku behën mbledhjet e grupit. Ne jemi në një krizë që kërkon ndryshim strategjie. Ne themi këto që bën qeveria janë të papranueshme, po janë, po ndodhin. Duhet te masim distancën mes konceptit të parë dhe të dytit. Te shohim ku na nxjerr. Çfarë gjuhe duhet te përdorim. Se kemi deficite me gjuhen. Po hyjmë ne vit elektoral, kemi vetëm një temë apo kemi edhe tema te tjera, argumente, platforma ekip, apo do përqendrohemi vetëm tek arrestimi i Sali Berishës? Shumë kush mendon që kjo është një padrejtësi.
Personalisht kam mbajtur qëndrim publik për këtë temë. Po Sali Berisha de fakto është shef i Opozitës dhe në çdo rast kjo ngjarje është politike por në fokusin tone a do kemi vetëm këtë teme apo do tentojmë t’i flasim shoqërisë? Për te dale ne baze askush nuk ka ndaluar askënd. Ky miti qe dikush ka njerëz e tjetri s’ka është thjesht presion psikologjik ndaj njeri tjetrit. Po ne raport e njerëzit jemi pak keq te gjithë bashke, se ngjarjet e treguan”, u shpreh ai.
/a.d