Notoi për 34 orë nga Italia në Shqipëri, Rama: Histori mbresëlënëse, Eva shënoi rekord!

Histori mbresëlënëse”, kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama rrugëtimin e notares Eva Buzo e cila arriti të përfundonte me sukses sfidën duke notuar për 34 orë e 17 minuta nga brigjet italiane drejt atyre shqiptare e duke përshkruar 92 kilometra.

Ndërsa risjell në vëmendje sfidën e lënë në mes të një viti më parë nga Eva, e cila hasi në komplikacione duke mos e përfunduar dot rrugëtimin e saj në brigjet shqiptare, Rama deklaron se notarja u rikthye këtë vit me një forcë fizike e psikologjike të jashtëzakonshme.

“Një histori mbresëlënëse ajo e Eva Buzos, avokatja shqiptare, e cila ka shënuar një rekord në not duke përshkruar 92 km nga brigjet e Italisë deri në Vlorë.

Një udhëtim në ujë prej 34 orësh për Evën, e cila sfidën e lënë në mes vitin e kaluar, u rikthye për ta përfunduar këtë vit, me një forcë fizike dhe psikologjike të jashtëzakonshme”, shkruan Rama.

Një vit më parë, Buzo e ndërpreu sfidën për të notuar nga brigjet italiane në ato shqiptare për shkak të disa komplikacioneve shëndetësore.

Avokatja u nis nga Otranto, Itali për të mbërritur me not në Vlorë, por pas rreth 27 orësh në det u detyrua të ndërpriste sfidën. Ajo u dërgua në spital, ku mori shërbimin e duhur mjekësor.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com