Noka sulmon SPAK: Kjo është beteja finale mes Berishës e Ramës. U ndalua lideri ynë, opozita reale po pengohet

Deputeti demokrat Flamur Noka ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve të Rithemelimit, duke u shprehur se drejtësia e re ka ndaluar ish-kryeministrin Sali Berisha sepse sipas tij ai u kujton se SPAK ka lënë të lirë qindra kriminelë.

Noka u shpreh se ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj shëtit lirshëm rrugicave të bllokut edhe pse ndaj tij ka një akuzë për abuzim me taksat, ndërsa theksoi se “opozita reale” po pengohet.

Sipas tij kjo do të jetë ”beteja finale: mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe atij aktual Edi Rama ku shqiptarët do duhet të zgjedhin.

“Drejtësia e re e ndaloi Berishën të përfaqësojë qindra mijëra shqiptarë që e votuan. E penguan Sali Berishën sepse ai u kujton përditë se SKAP-i i partisë ka lënë të lirë qindra kriminelë, të korruptuar e korruptues që po vjedhin taksat tuaja.

SKAP-i i partisë ndalon pa asnjë argument ligjor një kryetar opozite. Çdo qytetar e sheh Ilir Beqjan që shëtit i lirshëm rrugicave të bllokut edhe pse ka një akuzë të rëndë për abuzimin me taksat e shqiptarëve. E pengojnë edhe opozitën reale të marrë vendin në komisionet hetimore.

Rama dhe banda e tij e pushtetit po na pengojnë të bëjmë detyrën, por në misionin tonë nuk na ndalin dot. As Sali Berishën, as opozitën dhe as shqiptarët. Nuk na ndalojnë e nuk na nënshtrojnë. Ne do të fitojmë.

Pavarësisht shiut apo motit të keq ne mblidhemi te rruga e shpresës për t’i thënë Berishës se ai na përfaqëson ne dhe kemi detyrë mos ta lëmë vetëm. Për t’i thënë Edi Ramës se do të vijë ora e përballjes tënde dhe kur të vijë do të jesh në vetmi si qyq. Do jesh brenda 4 mureve të trasha të Surrelit si qyq derisa të shkosh në 4 muret e ftohta.

Berisha është njohur si i pakorruptueshëm, pas daljes në opozitë Sali Berisha ka denoncuar dhe denoncon më shumë se çdo politikan aferat personale dhe familjare të qeveritarëve dhe Edi Ramës.

Kjo është beteja finale mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. Duhet të zgjedhim mes projektit për Shqipërinë ku mund të investojnë të gjithë apo te ajo që gjithçka shkon në duart e investitorëve strategjikë që janë krerë të kabinetit ose të mafieve lokale”, tha ai./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com