“Njerëzit ndërruan jetë para syve tanë”, dëshmitë tronditëse nga tragjedia në resortin e skive në Turqi

Zjarri që shpërtheu në orët e para të së martës në një hotel në vendpushimin e skive Kartalkaya të provincës Bolu, Turqi, shkaktoi vdekjen e 66 personave dhe plagosjen e 51 të tjerëve.

“Fatkeqësisht, humbëm 66 jetë nga zjarri në hotel”, tha ministri i Brendshëm, Ali Gerlikaya, pas hetimeve në vendngjarje.

Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, tha se njëri prej të plagosurve është në gjendje të rëndë, ndërsa 17 persona kanë dalë nga spitalet.

Zjarri ka filluar në orën 03:30. (ora lokale) në katin e katërt të hotelit, i cili ka 161 dhoma, sipas një deklarate nga prefektura e Bolos. Vendndodhja e hotelit në një terren të vështirë, pasi ndodhej në një shkëmb, vështirësoi punën e zjarrfikësve.

Përpjekjet e para për shuarjen e zjarrit kanë nisur në orën 04:15, ndërsa operacioni ka zgjatur 10 orë pa arritur të parandalojë tragjedinë, siç raportojnë mediat turke.

Videot nga telefonat celularë fiksuan skena tronditëse, me turistë që lidhnin çarçafë për t’u zbritur nga dritaret, ndërsa të tjerët bërtisnin për ndihmë. Dy nga viktimat u vranë pasi u hodhën nga ndërtesa në panik, tha guvernatori.

Baris Salgur, një punonjës në një hotel aty pranë, tha se kishte dëgjuar ulërima nga njerëzit që kërkonin ndihmë për të shpëtuar njerëzit. “Pashë njerëz që bërtisnin nga dritaret. Para se të arrinte zjarrfikësja, dy gra u hodhën nga katet e sipërme ”, tha ai.

Instruktori i skive Nejmi Kepcetutan tha se ai ndihmoi në shpëtimin e rreth 20 vizitorëve. “Tymi ishte mbytës dhe njerëzit e kishin të vështirë të gjenin daljen e emergjencës”, tha ai.

Detaje tragjike dhanë edhe dëshmitarë të tjerë, si Ali Atmaja, i cili po përpiqej të ndihmonte ata që hidheshin nga dritaret për t’i shpëtuar zjarrit. “Ne vendosëm shtresa, me gjithë përpjekjet tona na humbën shumë jetë para syve”, tha ai.

“Gruaja ime ndjeu erën e tymit. Alarmi nuk ra”, tha për agjencinë IHA një tjetër turist që qëndronte në katin e tretë të hotelit.

“Ne u përpoqëm të ngjiteshim lart, por nuk mundëm, kishte flakë. Zbritëm shkallët dhe dolëm”, tha ai. “Njerëzit lart po bërtisnin. Ata varën çarçafë… disa u përpoqën të hidheshin”, shtoi ai.

Prokuroria e Bolou nisi menjëherë një hetim, duke caktuar 6 prokurorë dhe një ekip ekspertësh prej 5 anëtarësh për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Sipas mediave turke, në kuadër të hetimeve janë arrestuar 4 persona, mes të cilëve edhe pronari i biznesit.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan shprehu keqardhjen e thellë, duke siguruar se hetimi do të vazhdojë pa ndërprerje për të caktuar përgjegjësinë. “Po marrim të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com