Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ishte sot për një vizitë 8-orëshe në Tiranë, gjatë të cilës ai takoi autoritetet më të larta të vendit dhe dha edhe një konferencë për shtyp me kryeministrin Rama.
Për analistin Preç Zogaj vizita dhe ardhja e tij i bën mirë Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe e kombinuar me konferencën e sigurisë që do të mbahet në Mynih.
“Shqipëria është vend aleat dhe besnik i NATO. Që kur ka nisur në rrugën e integrimit në NATO dhe BE ka për definicion një rol në stabilitetin e Ballkanit. Është vend që nuk ka konflikte vetë, është cështja e Kosovës por është ndërkombëtare.
Ka marrë pozitën e një vendi që ndikon për stabilitetin në rajon, që janë çështje të rëndësishme për politikën amerikane në rajon.
Mendoj se kjo ishte një vizitë e ndryshme nga vizitat e mëparshme të Sekretarëve të Shtetit në Shqipëri. Ishte e shkurtër, kishte miksim, edhe për të festuar diçka. Për të dëshmuar se jemi bashkë, ne jemi me ju dhe ju jeni me ne. Mendoj se ishte e kombinuar me konferencën që mbahet në Mynih.
Sekretari ka shumë punë, por ia vlente që të harxhonte shtatë orë edhe në Shqipëri. Siç e thashë, një rrugë e dy punë. Agjenda ishte disi spontane, ndryshe nga vizitat e mëparshme që kanë qenë të shpallura me kohë.
Edhe vetë ambasada nuk ka qenë e sigurtë do të vijë apo jo.
Është vendosur në ardhje e sipër dhe Shqipërisë kjo i bën mirë”-tha Zogaj.
/a.r