Nisin ‘spastrimet’/ Presidentja maqedonase shkarkon shqiptarin nga drejtimi i shërbimit sekret

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, ka shkarkuar Erolld Musliun nga posti i drejtorit të Agjencisë së Zbulimit, i cili ishte duke shërbyer në mandatin e dytë.

“Është e qartë se presidentja u dorëzua para presionit të partisë”, u përgjigj ish-shefi i inteligjencës maqedonase, Erolld Musliu, përmes një reagimi.

Ai tha se është i zhgënjyer me vendimin, duke shtuar se në rastin e shkarkimit të tij nuk ka asnjë justifikim ligjor e as sistem meritë, për të cilat sipas tij Silanovska-Davkova flet vazhdimisht publikisht.

“Veçanërisht jam i zhgënjyer nga procedura dhe mënyra që zgjodhi presidentja gjatë shkarkimit tim, duke mos treguar virtytin për t’u takuar në një takim njoftimi për t’i dhënë asaj një informim mbi natyrën e punës së Agjencisë, për mjedisin e sigurisë dhe situatën aktuale në rajon.

Detyrën e drejtorit të agjencisë e kam ushtruar me krenari dhe nder të veçantë, kam bërë përpjekje mbinjerëzore për të ngritur nivelin e punës me cilësi të lartë dhe për ta transferuar përvojën dhe diturinë time profesionale të fituar gjatë karrierës 31-vjeçare”, tha ai.

Në njoftimin e Presidencës maqedonase nuk u dhanë detaje për arsyen e shkarkimit të Musliut.

Ai u emërua për mandat të dytë për të udhëhequr agjencinë më 19 maj 2023 nga ish-presidenti, Stevo Pendarovski, dhe kishte mandat deri më 2027.

Sipas ligjit për Agjencinë e Zbulimit, drejtori emërohet apo shkarkohet nga presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Baza për shkarkimin e drejtorit para përfundimit të mandatit janë nëse ai nuk vepron në përputhje me ligjin, nëse ai performon funksionet e tij në mënyrë joprofesionale dhe neglizhuese, apo nëse ai nuk përmbush ndonjë prej këtyre kushteve”, thuhet në ligjin që rregullon punën e Agjencisë së Zbulimit.

Presidentja maqedonase më 28 qershor ka shkarkuar edhe zëvendësdrejtoreshën e Agjencisë së Zbulimit, Aleksandra Bakreska-Dodovka, dhe në vend të saj ka emëruar Ivana Stojanovskan. As për këtë vendim nuk janë dhënë detaje nga Presidenca, shkruan REL.

“Presidentja Silanovska-Davkova ndërmori këto vendime në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore”, u tha në njoftimin e zyrës së saj./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com