Arkivoli me trupin e Papa Franceskut, i ndarë nga jeta të hënën si pasojë e një goditje në tru dhe arresti kardiak, u transferua në Bazilikën e Shën Pjetrit në një procesion solemn nga rezidenca e tij e Santa Martës në Vatikan.
Kardinalë me kapelet e kuqe, arqipeshkv, priftërinj me qirinj në duar, dhe rojet zvicerane me helmet, ecën me ngadalë në sheshin e madh para bazilikës, të shoqëruar nga psalme, lutje në latinisht dhe kambanat….
14 persona me doreza të bardha e kostume të zinj, mbajtën arkivolin prej druri me trupin e Papës, teksa mijëra besimtar të mbledhur në sheshin Shën Pjetër duartrokisnin e thërrisnin shenjt menjëherë. Procesioni u drejtuar nga Camerlengo, Kardinali Kevin Farell, i cili do të drejtojë Vatikanin deri në zgjedhjen e një kreu të ri.
Një meshë u zhvillua pasi arkmorti kaloi përmes dyerve gjigande të bronxta duke u vendosur në brendësi të Bazilikës. Nga ora 11 dyert u hapën për të gjithë ata që duan ti japin lamtumirën kreut të Selisë së Shenjtë. Homazhet për publikun do të lejohen deri në orën 19 të së premtes, pasi në orën 20, siç bëri të ditur Vatikani, do të zhvillohet riti i mbylljes së arkivolit nga Camerlengo.
Të shtunën në orën dhjetë është caktuar ceremonia e varrimit, në të cilën priten të marrin pjesë të paktën 250 mijë njerëz. Me dhjetëra mijëra kanë mbërritur tashmë në Vatikan për ti bërë respektin Papës popullor, me 100 delegatë e liderë botërorë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen përfshirë presidentin amerikan Donald Trump.
Do të jenë gjithashtu të pranishëm, patriarkë, kardinalë e arqipeshkëve nga i gjithë globi, e mesha do të drejtohet nga kreu i kolegjit të Kardinalëve Giovanni Battista Re.
Një konklavë për zgjedhjen e Papës së ri nuk pritet të nisë para 6 majit. Kardinalët që mblidhen tani në Romë do të vendosin datën pas atyre që shpesh janë diskutime të gjata. Nuk ka pretendentë të qartë për pasimin e Franceskut, por kompanitë britanike të basteve përmendin Luis Antonio Tagle, reformistin filipinez dhe italianin Pietro Parolin si favoritë. Të dy ata ishin pranë njëri-tjetrit në bazilikë, të rrethuar nga 80 kardinalë të tjerë.