Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se opozita ka hyrë në stinën e protestave.
Në një dalje për shtyp Berisha tregoi skenarët e aksionit opozitar, duke folur edhe për tubime spontane.
“Opozita e të drejtave të mohuara në akson”, është edhe slogani i kësaj proteste.
Ai u shpreh se protesta që do të zhvillohet të hënën, kur diskutohet edhe mandati i tij, është protestë për shqiptarët dhe jo për hallin e tij personal.
Protesta do të mbahet te Kryesia e Kuvendit, të hënën në orën 11.30.
“Narkodikatori kërkon të marrë edhe pushtetet që nuk i kontrollon akoma. Kështu që protestat kanë qenë program i padiskutueshëm, alfa dhe omga e fjalës time janë mosbindja civile dhe protestat.
Më e rëndë eshte amendamenti që u miratua ditën e djeshme. Kjo do të thotë asgjësim i mandatit të deputetit. Çfarë i thotë Edi Ramës atë bën, por Edi Ramës po i përfundojnë letrat dhe do marrë atë që meriton.Do ketë një zinxhir protestash, tani ne fillojmë stinën e protestave. Një projekt ka ekzistuar, po projekti modifikohet dhe fillohet me protesta madje edhe sporadike, me qëllimin më madhor që të shkohet drejt organizimeve më madhore”, tha Berisha.
Theksojmë se SPAK ka kërkuar që Berishës t’i hiqet mandati pasi atij i është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, por ish-kryeministri ka refuzuar të paraqitet para prokurorëve.