“Tik Tok” është një nga rrjetet sociale “fajtore” për rrëmbimin e shpejtë dhe pa kuptuar të kohës së përdoruesve, e sidomos fëmijëve apo adoleshentëve.
Ky rrjet social është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance dhe gjeneron video nga përdoruesit, të cilat mund të jenë nga 3 sekonda deri në 10 minuta. Tik Tok u lançua në vitin 2017 globalisht. Për rreth 6 vjet u bë një nga aplikacionet më popullore në botë, duke marrë hov gjatë pandemisë
Inside Story në Top Chanell ka sjellë disa ngjarje tragjike në vendin tonë, të cilat kanë pasur si shkak rrjetet sociale.
Inside Story i është drejtuar Policisë së Shtetit me një kërkesë për informacion nëse ka pasur raste të denoncuara apo trajtuara në lidhje me lojëra të rrezikshme online.
Zyrtarisht, policia konfirmon se kanë evidentuar disa adresa të rrezikshme si “Balena Blu”, “Jonatan Galindo” apo “Momo”. “Sfida Momo” ishte një sfidë që u përhap përmes mediave sociale. U raportua se fëmijët dhe adoleshentët po ngacmoheshin nga një përdorues i quajtur Momo për të kryer një sërë detyrash të rrezikshme, duke përfshirë sulme të dhunshme, vetëlëndim, dëmtim të të tjerëve dhe vetëvrasje.
Raportet u bazuan në histori të adoleshentëve që ishin në shënjestër nga njerëz që e prezantonin veten si një personazh i quajtur Momo, duke u përpjekur të bindin njerëzit që t’i kontaktojnë ata përmes telefonit të tyre. Ashtu si me sfida të tilla si “Balena Blu”, lojtarët udhëzohen të kryejnë një sërë detyrash. Refuzimi për ta bërë këtë përballej me kërcënime dhe fotografi të tmerrshme.
Kjo lojë në vitin 2019 arriti të krijonte një panik mbarëbotëror. Forcat e policisë, shkollat dhe organizatat e dedikuara për sigurinë e konsumatorëve në internet lëshuan asokohe një numër të madh këshillash se si fëmijët të mbroheshin për të mos rënë në këto gracka online.
Rasti i Lushnjes ku humbi jetën 13 vjeçari
Shtatë muaj më vonë, në 21 nëntor të vitit 2021 fshati Golem i Lushnjës u trondit nga lajmi se një 13-vjeçar ishte vetëflijuar.
Sikurse u raportua kur ndodhi ngjarja, ai po realizonte video për “TikTok”. Ende pa u shuar frika dhe dyshimet për vetëvrasjen në Grun e Zi, një tjetër ngjarje drejtonte tek lojërat e rrezikshme online.
“Kemi një grup fëmijësh që janë të mbyllur, e kanë të vështirë të komunikojnë, të tregojnë anën e tyre emocionale, i përjetojnë shumë fort emocionet, kjo mbyllje në vetvete dhe shpeshherë qëndrimi në këto rrjete sociale, sfidat që vijnë aty janë të papërballueshme për ta dhe kjo mund të çojë në atë që ne i themi vetëflijimit”, u shpreh psikologia, Ariana Muça.
Golemi është një fshat në hyrje të Lushnjës. Shkolla ku studionte i mituri i ndjerë sot është e braktisur dhe e mbyllur me dryn.
Një fushë e madhe futbolli ku sot lëvizin vetëm pulat e fshatit, një barake e vogël që dikur ka shërbyer si dyqan akulloresh dhe një biçikletë fëmijësh e harrua para derës së shkollës krijojnë një mizansenë të trishtë.
Askush nuk do të flasë para kamerave në Golem për këtë çështje, ata duan sikurse thonë të respektojnë dhimbjen e familjes, të cilët pas ngjarjes kanë lënë Golemin dhe Shqipërinë.
Edhe familjarët e të ndjerit nuk preferojnë të flasin publikisht pavarësisht se jashtë kamerave na konfirmojnë edhe një herë për elementin “TikTok” të dyshuar që në fillim kur ndodhi ngjarja.
“Në fakt, sfidat e TikTok vitet e fundit një problem i madh pothuajse për të gjithë grupmoshat duke u nisur që nga fëmijët adoleshentët pasi janë grupmoshat që preken më shumë dhe kanë një ndikim të madh edhe në shëndetin e tyre mendor. Ne kemi parë që ata kanë pasur realizim të veprave të vetëflijimit që janë akte shumë të rënda dhe të pamenduara që vijnë për efekt të përdorimit të këtyre platformave“, u shpreh psikologia, Arjana Muça.
Dosja e vetëvrasjes së 11-vjeçarit në Shkodër
Ishte 6 maj i vitit 2021 kur salla operative e Komisariatit të Policisë së Shkodrës u njoftua se në Spitalin Rajonal kishte shkuar një pacient i mitur i cili ishte pa shenja jete.
Bëhej fjalë për një 11 vjeçar nga fshati Gur i Zi. Ai ishte vetëvarur në mjediset e shtëpisë. Babai i viktimës kishte deklaruar para hetuesve se nuk kishte vërejtur ndonjëherë ndonjë shqetësim nga sjellja e djalit të tij tashmë të ndjerë.
Siç citohet në dosjen e Prokurorisë së Shkodrës për rastin, është kontrolluar telefoni i viktimës e më pas është sekuestruar për t’i bërë një ekspertim më të specializuar.
Është marrë vendim për kryerjen e ekspertiit Teknik dhe aparati së bashku më vendimin e datës 16.09.2021 është dërguar në IPSH, Tiranë. Edhe pas rreth 1 viti nga vendimi rezulton se nuk është përfunduar akti i ekspertimit teknik.
Nga hetimi i ngjarjes ka rezultuar se i mituri 11 vjeçar ka kryer vetëvrasje për shkaqe personale dhe emocionale. Ngjarja nuk lidhej me ndonjë veprim të dhunshëm apo sjellje keqtrajtuese sistematike ndaj tij.
Veprimet e të miturit janë kushtëzuar nga gjendja emocionale dhe mosha e mitur e tij dhe duhet të kenë qenë të pamenduara por rrethana të momentit. Prokororia e Shkodrës mori vendim për kryerjen e ekspertimit Teknik kompjuterik të aparatit telefonik të fëmijës. Dyshohej se prej aty mund të zbulohej arsyeja e vërtetë që e shtyu 11-vjeçarin të kryente këtë akt ekstrem për jetën.
“Në këto kushte, me qëllim nxjerrjen e të dhënave në interes për hetimin, lind e domosdoshme hapja e aparatit telefonik dhe kryerja e ekspertimit teknik kompjuterik të aparatit telefonik për t’ju dhënë përgjigje pyetjeve:
– Të nxirren të dhëna nga rrjetet sociale Instagram, Tik Tok etj sic janë komunikime, foto e çdo informacioni mundur nga aparati telefonik objekt ekspertimi.
– Të nxirren komunikime whattsap, messenger etj nëse ka nga aparati telefonik objekt ekspertimi.