Liderët e 5 vendeve të Ballkanit, anëtare të NATO-s, janë mbledhur në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku po zhvillojnë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.
Në konferencën e përbashkët, kryeministri Edi Rama tha se është me rëndësi të shtohen forcat e NATO-s në Kosovë dhe të mbahet nën kontroll kufiri, i cili aktualisht është të shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikimit të armëve, drogës dhe aktiviteteve të cilat më pas ngatërrohen dhe me aktivitetin politik me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda siç ishte ai në Banjskë.
“Jam i keq ardhur për faktin që pavarësisht thirrje të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por dhe trupat që duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet,” – u shpreh Rama.
Kryeministri tha se gjatë takimit ka propozuar ndërtimin e një formati të Samitit të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-s në rajon, por dhe vendet partnere të NATO-s, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që s’janë të pranishme, si dhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin dhe që kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe procesin demokratik të rajonit.
Rama shtoi gjithashtu se kishte biseduar me Stoltenberg që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar bazën e re detare në Porto Romano të bëhej sa më shpejt sepse, siç u shpreh kryeministri besojnë se çdo gjë që ndodh hap pas hapi përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë.