Gjykata e Monzës e ka dënuar kirurgun 40-vjeçar me inicialet R.G., me 20 muaj burg.
Ndaj tij rëndonte akuza për dhunë seksuale, pasi një paciente 20-vjeçare e denoncoi për aktin e pahijshëm që kreu ndaj saj.
Ngjarja ndodhi në vitin 2019, në klinikën Zucchi, ku vajza që denoncoi kirurgun shkoi në urgjencë për të shoqëruar të dashurin e saj, i cili kishte dhimbje fyti.
Sipas prokurorit të Monzës, Flaminio Forieri, i cili kishte kërkuar dënimin me 14 muaj burg për mjekun, vajza teksa priste të dashurin të përfundonte serumin, e kishte pyetur kirurgun shqiptar se ku mund të shkonte për të pirë duhan.
Ai e kishte shoqëruar 20-vjeçaren në një dhomë, ku gjatë bisedës i kishte prekur kërthizën. E reja ia kishte treguar episodin të dashurit të saj dhe, para se të dilnin nga urgjenca, kishin shkuar te mjeku, duke e fyer dhe duke regjistruar bisedën në të cilën ai e mohonte aktin që kreu.
Gjatë procesit gjyqësor, mjeku është mbrojtur me argumentin se ai e kishte kapur vajzën duke pirë duhan brenda në klinikë, veprim i cili është i ndaluar dhe ndaj i ka kërkuar vetëm që të largohet.