Nga sharjet në TikTok, në dhunë fizike! Pse nuk ndërhynë autoritetet për të parandaluar ngjarjen në Kosovë


Prej disa ditësh media në Kosovë dhe Shqipëri po raporton me shumë intensitet sherrin e ndodhur në një nga lokalet e natës në Kosovë, ku të përfshirë ishin Noizy, Stresi, Dj Crax dhe Medi Iseni.

Në këtë ngjarje, janë dhunuar në mënyrë brutale një personazh i njohur i TikTok, Medi Iseni si dhe dhëndri i tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, ngjarja ka lënë shumë pikëpyetje sesi është zhvilluar dhe cilët kanë qenë motivet e kësaj ngjarje shumë të rëndë.

Nga sa dimë deri tani në fakt është se një konflikt i vjetër mes reperit të njohur Noizy dhe Medi Isenit, duket se është shkaku i kësaj ngjarje brutale që ka ndodhur në Kosovë.

Ajo që mund të thuhet në të tilla raste është pamundësia e autoriteteve ligjbatuese të Shqipërisë dhe Kosovës, që ngjarje të tilla të parandalohen që të mos ndodhin.

Kjo thuhet nisur nga zhvillimet e një dite më parë se të zhvillohej koncerti, ku në rrjetin social TikTok është diskutuar se një ngjarje e tillë mund të ndodhte dhe autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë për ta parandaluar këtë gjë.

Prej disa vitesh, rrjeti social TikTok është përdorur nga personazhe të ndryshme për të kërcënuar dhe ofenduar njëri-tjetrin, e ndërsa si policia shqiptare po ashtu edhe policia e Kosovës nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për të hetuar dhe për të vënë përpara drejtësisë këdo që kërcënon dhe terrorizon.

Vip Magazine, kontaktoi ditën e sotme me Zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, duke e pyetur nëse ka persona të tjerë në hetim përveç Noizyt, Stresit dhe Dj Crax.

“Në këtë cështje penale, dy persona janë viktimë”, u shpreh ai, duke nënkuptuar kështu Medi Isenin dhe dhëndrin e tij.

Ai shtoi se “personat e tjerë”, referuar Noizyt, Stresit dhe Dj Crax, “janë të dyshuar për lëndime të rënda trupore, pjesëmarrje në rrahje dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale”.

Megjithatë, zoti Nikqi, nuk u dha përgjigje disa pyetjeve që Vip Magazine kishte për të, siç ishte pyetja: A kanë nisur hetimet për personazhin e Tik Tok, Meidi Isenit për kërcënimet që janë bërë nëpër rrjetet sociale?

A kanë nisur hetimet për security e lokalit ku është mbajtur koncerti, që nuk ka siguruar mbarëvatjen e tij dhe nuk ka ndërhyrë për neutralizimin e personave të përfshirë në përleshjen fizike?

Zoti Nikqi, gjithashtu, nuk dha përgjigje nëse Noizy dhe Stresi kanë qenë të përfshirë në përplasjen fizike.

Deri tani nuk kemi një kronologji të saktë sesi ka ndodhur ngjarja, por ajo që mund të thuhet me siguri, është që si autoritet në Kosovë, po ashtu autoritet në Shqipëri, po dështojnë të mbajnë nën sundimin e ligjit personazhe të caktuar, si këngëtarë po ashtu edhe personazhe të ndryshme në Tik Tok.

/Vip Magazine/


c

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com