Nga Lea Ypi: Italia, Shqipëria dhe miti i krizës europiane të emigrantëve

Nga Lea Ypi *
Një mëngjes të diele, në një ditë me diell gjatë muajit mars të vitit 1997, në Durrës, një mësuese në moshë të mesme doli në bregdet me djalin e saj 11-vjeçar.

Ata vozisnin në det, shkruanin emrat në rërë dhe më vonë u ulën në breg të detit, ku ajo nxori ushqimet që kishte marrë me vete: ca feta bukë, kastravec dhe domate, të mbështjellë në një gazetë të vjetër.

Mes tyre pati edhe një grindje të vogël – djali këmbëngulte se nuk ishte i uritur dhe gruaja i tha se do ta çonte drejt e në shtëpi pa ushqim – kur dëgjuan një shpërthim të fortë, të ngjashëm me zhurmën e fishekzjarreve gjatë dasmave. “Shqiptarët nuk ndalojnë kurrë së festuari”, – buzëqeshi gruaja.

Megjithatë zhurmat u bënë më të fortë dhe më të shpeshtë. Jugu i vendit kishte qenë në kaos atë javë: shumë familje humbën kursimet e tyre për shkak të rënies së kompanive financiare mashtruese dhe protestat u përkeqësuan në trazira të dhunshme mes bandave të armatosura.

Në Durrës jeta vazhdoi si zakonisht, indiferente ndaj krizës. Por ndërkohë gruaja e kuptoi se ato që ajo ngatërroi për fishekzjarre ishin të shtëna AK-47 (kallashnikovë). Ajo kapi me të shpejtë fëmijën dhe filloi të vraponte zbathur përgjatë plazhit.

Ajo grua ishte nëna ime. Ajo dhe vëllai im nuk u kthyen në shtëpi, atë natë. Gjatë atij muaji, i gjithë vendi ra në anarki. Kudo dëgjoheshin të shtëna, dhe dukej sikur, kush mund të tërhiqte këmbëzën, kjo mund t’i shndërronte plumbat në para, të cilat njerëzit i kishin humbur. Vendi kaloi në një shtetrrethim dhe në gjendje të jashtëzakonshme ushtarake. Në shtëpinë time, në Durrës pyesja veten nëse nëna dhe vëllai im ishin mes të vdekurve.

Disa ditë më vonë ra zilja e telefonit. Ndërsa po vraponin për t’u fshehur, një traget ishte afruar në një nga kalatat dhe nëna dhe vëllai im ishin hedhur brenda tij. Më pas kishin gjetur strehim në një qendër afër Fasanos, në jug të Italisë.

Në atë kohë, qendra të tilla quheshin “kampe refugjatësh”. Kisha drejtonte shumicën e tyre. Tani ato u nënkontraktohen kompanive private dhe ndahen në dy qendra, “centri di prima accoglienza” (qendra për pritjen e parë) dhe “centri di permanenza per il rimpatrio” (qendra për qëndrim para riatdhesimit), ku migrantët mbahen në “paraburgim administrativ”.

Nëna ime nuk e mban mend nëse qendra e tyre ruhej, por kujton se dolën fshehurazi në errësirë, për të kapur trenin e parë për në Romë. Ajo është e sigurt se nuk kishte porta, madje kur dolën nuk kishte as tela me gjemba dhe as kamera vëzhgimi.

M’u kujtua kjo histori javën e kaluar kur Italia nënshkroi një marrëveshje me qeverinë shqiptare për hapjen e dy qendrave të tilla në Shqipëri, njëra për përpunimin administrativ të emigrantëve të shpëtuar nga anijet ushtarake italiane dhe tjetra për ndalimin e tyre.
Mendova për mijëra emigrantë që, si nëna dhe vëllai im, iknin nga lufta, varfëria dhe persekutimi për të kërkuar strehim në shtete gjithnjë e më armiqësore ndaj pranisë së tyre, gjithnjë e më indiferente ndaj gjendjes së tyre.
“Paraburgimi administrativ” është një term teknik, që mbulon në gjuhën neutrale të burokracisë një realitet të ashpër detyrimi. Të traumatizuar nga udhëtimi, emigrantët presin të izoluar për një vendim nëse do të lirohen apo do të dëbohen, të trajtuar në kushte degraduese, me përkeqësim të shëndetit mendor, përfshirë mendimet për vetëvrasje dhe vetëlëndim. Ekziston edhe një përkufizim më pak diplomatik, por ndoshta më i saktë: burg pa gjyq.

Ka pasur marrëveshje që u mundësojnë shteteve të pasura liberale të përpunojnë migrantët në mënyrë ekstraterritoriale: për shembull midis Australisë dhe Naurusë, dhe midis Mbetërisë së Bashkuar dhe Ruandës (në një plan për heqjen e kërkuesve të azilit që të mërkurën u shpall i paligjshëm nga Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar). Në vitet 1990, SHBA përdori Gjirin e Guantanamos për të ndaluar azilkërkuesit nga Haiti. Sipas marrëveshjes së fundit me Italinë, shteti shqiptar lëshon përkohësisht sovranitetin territorial në zonën ku do të ndërtohen qendrat, duke i dhënë mundësi personelit italian (policor, mjekësor, administrativ, gjyqësor) të ushtrojë funksionet e tij.

Emigrantët mund të presin ndihmë nga shteti shqiptar, por vetëm pasi të kenë vdekur: neni 9, për shembull, lejon përdorimin e një morgu shqiptar deri në 15 ditë. Shpenzimet do të mbulohen nga Italia, por toka ofrohet falas, teksa kështu shpjegoi kryeministri shqiptar Edi Rama, ku edhe nuk mungoi falënderimi ndaj Italisë për pritjen e shqiptarëve kur ata “i shpëtuan ferrit” përgjatë viteve 1990.

Në rastin e ikjes së vetë nënës dhe vëllait tim nga “ferri”, mikpritja kishte një fytyrë dhe një adresë: e moshuara me aftësi të kufizuara Signora Caterina jetonte në veri të Romës, në një zonë të pasur, e njohur për simpatitë e saj të së djathtës ekstreme. Ajo kishte tre djem që nuk jetonin më në shtëpi dhe një banesë të madhe në të cilën nëna dhe vëllai im u strehuan një dhomë të vogël.

Dy nga djemtë e kishin të vështirë të mësonin përmendësh emrin e nënës sime, kështu që ajo u prezantua para vizitorëve si (kujdestare), duke shtuar “shqiptare, por shumë e ndershme”. Ajo gatuante, pastronte, lante dhe vishte Signora Caterina-n, si dhe hiqte madje edhe pluhurin nga një statujë e vogël e Musolinit që shtrihej pranë shtratit të saj. Ajo thotë se ishte “shumë mirë e paguar”: një milion lireta në muaj, e cila, e përshtatur me inflacionin sot, është rreth 800 euro.

Nëna ime ishte e dashur për Signora Caterina. Ata ishin lidhura me mendimin unanim të tmerreve të komunizmit dhe respektin e tyre për Duce-n, “një politikan i mirë që bëri gjithçka për të mirën e Italisë”, thoshte gruaja e moshuar. Vëllai im shkoi në shkollë dhe në udhëtimin e tij të mëngjesit vuri re pranë një muri të gjatë gri mbishkrime të zeza: “Fuori gli Albanesi” (“Shqiptarët jashtë”). Ai i bënte detyrat i vetëm, shikonte filma vizatimorë, luante në një tastierë të përdorur nga Nintendo që i kishin dhënë dhe priste me padurim të dielave, kur nëna e tij mund ta çonte për të shijuar ndonjë akullore. Ai e konsideron veten me fat.

Pak ditë pasi ata ishin larguar nga Shqipëria, një tjetër varkë që transportonte më shumë se 100 emigrantë, kryesisht gra dhe fëmijë, u godit nga një anije ushtarake italiane në ngushticën e Otrantos. Shumica e tyre u mbytën. Qeveria shqiptare sapo kishte nënshkruar një marrëveshje që autorizonte Italinë të përdorte forcën për të parandaluar hyrjen e anijeve në ujërat e saj territoriale. Me atë rast, autoritetet kishin shprehur mirënjohje edhe për mikpritjen e Italisë.

Unë shkova në Romë me një vizë studimi më vonë, po atë vit. Më kujtohet koha kur ndihmova një grua të moshuar e cila mbante valixhen në stacionin Termini: falë Zotit për të rinjtë si unë, ajo tha: “Është plot me shqiptarë këtu”. Ishte koha kur një pacient në radhë nisi një bisedë se si dhunën shqiptartë “ e kanë në gjak”. Ishte koha kur përgjova disa pasagjerë të autobusit duke shprehur shqetësimin se fëmija i tyre kishte bërë një shok “shqiptar” në çerdhe. Dhe më kujtohen fjalët e një gazetari që pyetja e parë që bënte redaktori i tij kur i ishte vjedhur një shtëpi, një i moshuar i vrarë apo një grua ishte dhunuar, ishte nëse të dyshuarit ishin shqiptarë. Përndryshe nuk kishte shumë audiencë.

Shqiptarët, dikur të përshkruar si “barbarë”, “kriminelë” dhe “hajdutë” nga mediat italiane, tani janë emigrantët e mirë. Disa prej tyre kanë bërë karrierë si këngëtarë pop, kërcimtarë dhe kanë fituar famë. Ata janë të integruar, pasi për migrantët, përparimi reflekton më shumë klasën sociale sesa përkatësinë etnike. Shumë u kthyen në Shqipëri për të investuar kursimet e tyre. Siç theksojnë studimet e migracionit, migrantët shpesh kthehen në vendin e tyre të origjinës kur kushtet janë të përshtatshme.

Çdo familje shqiptare mbart kujtime si të miat, të prezantimit si “shqiptar por punëtor”, të përpjekjes për të fshehur origjinën, të gënjeshtrës për kombësinë që të mund të gjejë një punë apo të marrë me qira një banesë.

Të gjithë ngurrojnë të ndajnë historitë e tyre. Ndoshta do të dukej mosmirënjohëse. Ndoshta në një kulturë meritokratike që e ndan botën në fitues dhe humbës, në kriminelë të lindur dhe njerëz të ndershëm, për të theksuar përpjekjet individuale të dikujt kërkon përvetësimin e narrativës së dështimit kolektiv. Ndoshta sepse, si qytetarë të natyralizuar të vendeve anëtare të BE-së, integrimi i tyre është më i plotë nëse mbështesin koalicionin e djathtë të kryeministrit Giorgia Meloni. Dhe si anëtarë aspirantë të BE-së, angazhimi i tyre është më i sinqertë nëse dalin vullnetarë për të hapur qendra paraburgimi. Ndoshta kjo është thjesht shumë e dhimbshme.

“Barbarët” tani janë të tjerë. Në faqet e Il Secolo d’Italia, gazetës së partisë së Meloni, titujt ngjajnë me ato të ditëve të mia në Itali. Por objektivi është i ndryshëm: “Muslimanët po ‘pushtojnë’ Italinë”; “Islami është i rrezikshëm dhe vetëm idiotët nuk arrijnë ta kuptojnë këtë”; “Italia është pushtuar nga myslimanët, së shpejti ata do të përfaqësojnë gjysmën e popullsisë”.

Shumica e shqiptarëve janë me origjinë myslimane (e kisha fshehur këtë fakt edhe për familjen time). Por kredencialet e tyre evropiane duken të sigurta. Vitin e kaluar Shqipëria hapi negociatat e anëtarësimit në BE. Por çfarë është Europa? “Jo një klub,” tha Meloni. Ndoshta ajo kishte në mendje një term tjerër, qytetërim. Ndoshta edhe duke gjykuar titujt e gazetave të partisë së saj. “Siç e dini, – deklaroi ajo në nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë, – nuk më pëlqen ta quaj zgjerim, më pëlqen ta quaj ribashkim.

Por ribashkimi është një term ligjor. Presupozon rikonstituimin e një organi sovran të ndërprerë më parë (si ribashkimi gjerman pas 1989). Teknikisht, e vetmja herë në histori kur shteti i Shqipërisë dhe ai i Italisë i përkisnin të njëjtës strukturë juridiksioni ishte viti 1939 deri në 1943, kur Viktor Emanuel III ishte zyrtarisht “Mbreti i Italisë dhe Shqipërisë”, pas pushtimit të Musolinit.

“Shqiptarët dhe italianët janë një dhe e njëjta racë”, deklaroi në një artikull në nëntor 1941 (i plotësuar me prova shkencore të bazuara në matjet e kafkës). Ajo u botua në La Difesa della Razza (“Mbrojtja e racës”), një revistë dyjavore, sekretari editorial i së cilës ishte Giorgio Almirante, më vonë shef i stafit të ministrit të kulturës gjatë republikës naziste-fashiste të Salòs dhe udhëheqës i “Lëvizja Sociale Italiane” (MSI) neofashiste, kohë kur një grua e re Giorgia Meloni filloi jetën e saj politike.

Kur kryeministrja italiane theksoi se në rastin e shqiptarëve, çështja nuk ishte zgjerimi, por ribashkimi, a i drejtohej ajo publikut të ndritur evropian, apo ndoshta më delikate bazës së saj nostalgjike militante?

Për Melonin, shqiptarët janë shumë të traumatizuar nga e kaluara e afërt komuniste për të hapur plagët e periudhës së largët koloniale. Në Shqipëri, shumë duket se e kanë pranuar idenë se emigracioni është një problem, kur shqetësimi i tyre i vetëm duhet të jetë emigracioni (humbja e qytetarëve të Shqipërisë nga Shqipëria).

Kritika publike e marrëveshjes, madje edhe midis intelektualëve, ka ofruar një pamje të dhimbshme të shtrembërimit të qëllimshëm të fakteve (“Afrikanët do të ‘pushtojnë’ Shqipërinë”), kremtim madhështor i trashëgimisë greko-romake-kristiane, heshtje e turpshme për periudhat osmane dhe komuniste dhe, më mirë, le të themi racizëm. Por ndërsa në shtetet e BE-së debate të tilla ushqehen nga politikanë me poste, në Shqipëri të paktën ato u kufizuan në mediat sociale.

Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar e nënshkroi marrëveshjen, por nuk preferoi të mbajë një qëndrim për meritat e saj politike, një pozicion ky konfuz pasi, vetëm dy vjet më parë, kur u diskutua për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, qëndrimi i tij ishte shumë i qartë: “Shqipëria nuk do të jetë kurrë vendi ku vendet shumë të pasura krijojnë kampe për të hedhur emigrantët,” tha ai asokohe.

Çfarë ndryshoi?

“Miqësia”, me sa duket. Por miqësia bazohet në reciprocitet dhe është interesante të imagjinohet se si do të ishte përgjigjur Meloni nëse Shqipëria do të kishte kërkuar “ndihmë” për të transferuar paraburgimin administrativ duke lëshuar pjesë të territorit të saj. Që nga zgjedhjet e vitit të kaluar, rritja e mprehtë e emigrantëve që mbërrijnë në Itali ka çuar në masa gjithnjë e më drakoniane, duke përfshirë hapjen e më shumë qendrave dhe zgjatjen e kohës së ndalimit. A kishte ndonjë mënyrë tjetër për të ndihmuar?

Disa javë më parë, Meloni i shkroi një letër kancelarit gjerman Olaf Scholz për t’i treguar “habinë” e saj për vendimin e vendit të tij për të mbështetur financiarisht OJQ-të e angazhuara në misionet e shpëtimit në Mesdhe. Qëndrimi i qeverisë së saj është se misione të tilla inkurajojnë trafikimin e qenieve njerëzore – një deklaratë që, sipas shumë studimeve, duke përfshirë një të fundit nga Universiteti i Harvardit, nuk mbështetet nga prova empirike.

BE-ja, pohoi Meloni, duhet të përqendrojë përpjekjet e saj në “ndërtimin e zgjidhjeve strukturore” për migracionin. Por zgjidhjet strukturore kërkojnë një diagnozë adekuate të problemit dhe një reflektim koherent të alternativave.

Migrimi nuk është një emergjencë: përkundrazi, ndihmon në kundërshtimin e rënies demografike dhe shtetet dërguese përfitojnë gjithashtu nga migrimi qarkullues në vijimësi.
Por edhe sikur të ishte, pozicioni i Melonit është logjikisht i gabuar. Slogani i saj elektoral ishte “Italianët në radhë të parë”, parim ky egoist që nuk mund të përgjithësohet. Nëse interesi kombëtar e tejkalon vazhdimisht solidaritetin ndërkombëtar, zgjidhja e saj “strukturore” e përjetëson problemin që ajo përpiqet të zgjidhë.

Ndoshta ky është pikërisht qëllimi: jo për të reformuar Evropën, por për ta çmontuar atë nga brenda.
Jo për të krijuar një kornizë të re për drejtësinë kozmopolitane, por thjesht për të pohuar vullnetin e kombeve për pushtet, jo sipas Kantit, por Niçes. Është një vizion koherent, edhe nëse jo i dëshirueshëm: një rrëfim qytetërues që bën dallimin midis vendasve që duhen mbrojtur dhe barbarëve që duhen dëbuar, “një zgjidhje strukturore” që synon të shpërbëjë strukturën. Kjo është arsyeja pse të vetmet propozime konkrete kanë të bëjnë me heqjen fizike të “tjetrit”. Paraburgimi administrativ i bën migrantët të padukshëm pas hekurave; kurse përpunimi jashtëterritorial, dhe vetë hekurat mund të zhduken nga sytë.

Fatkeqësisht, funksionon. Autoritetet gjermane dhe austriake njoftuan së fundmi se po studiojnë menaxhimin e migracionit jashtëterritorial. Sekretari i ri i Brendshëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, reagoi ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të Ruandës. Por ka edhe shumë shqetësime. Planet janë shpesh ligjërisht të diskutueshme (është një çështje e përputhshmërisë me normat ndërkombëtare ligjore dhe humanitare), administrativisht joefikase (koha e përpunimit priret të zgjatet dhe jo të shkurtohet), ekonomikisht të kota (shtetet vazhdojnë të mbulojnë të gjitha shpenzimet) dhe moralisht të neveritshme. Ata shkelin atë që Kanti e quajti një të drejtë “kozmopolite”, “të drejtën e qytetarëve të botës për t’u përpjekur të krijojnë bashkësi me të gjithë”.

Problemi është se projekte të tilla vazhdojnë të shkatërrohen edhe kur dështojnë, në fakt sepse ato dështojnë vërtet.

Edhe kjo është “strukturore”. Nëse frikësimi për migracionin bëhet kusht për të fituar zgjedhjet, kundërshtarët mund të sfidojnë partitë në detyrë duke bërë fushatë për masa më të ashpra, me një kosto edhe më të lartë humanitare, duke shtuar armiqësinë ndaj gjykatave që rrëzojnë vendimet problematike.
Edhe nëse partia e Melonit del më e moderuar nga koha e saj në detyrë, gara deri në fund nuk do të ndalet. Marrëveshja e Ruandës mund të refuzohet nga gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar, por letra e Suella Braverman drejtuar kryeministrit Rishi Sunak pas shkarkimit të saj këtë javë nga posti i sekretarit të brendshëm parashikon luftën e radhës.

Autoritarizmi nuk është gjithçka ose asgjë, është një proces. Inkuadrimi i migrimit si problem është ‘kali i Trojës’ që do të djegë demokracinë. E djathta ka krijuar një pararojë evropiane të shkatërrimit: duke u përpjekur të zëvendësojë një projekt integrimi largpamës me mitin e rrezikshëm të unitetit organik të së kaluarës, duke fshehur shfrytëzimin e vazhdueshëm të punës emigrante pas kriminalizimit të vazhdueshëm të të huajit.

Alternativa nuk është të ndërhyni te margjinat, por të refuzoni kornizën, duke e zhvendosur fokusin nga përjashtimi te padrejtësia, padrejtësia e një rendi ekonomik global që i detyron njerëzit të largohen nga vendet e tyre. Duke bërë fushatë për më shumë, në vend të më pak të drejta për emigrantët (si politik ashtu edhe social) për t’i mundësuar ata të luftojnë.

Signora Caterina vdiq në krahët e nënës sime disa muaj, pasi u takuan. Nëna dhe vëllai im u kthyen përfundimisht në Shqipëri. Kur nëna ime dëgjoi për marrëveshjen e fundit me Italinë, u entuziazmua. “Sigurisht që Shqipëria duhet të pranojë emigrantë,” – tha ajo, – “ata janë të dëshpëruar, ashtu si ne. Më pas shpjegova “paraburgimin administrativ” dhe se si i mundësoi Italisë t’u mohonte emigrantëve të tjerë atë që dikur i kishte ofruar me ngurrim. – “Asnjë zgjidhje atëherë,” tha ajo, “vetëm propagandë. E kemi parë më herët.”

Lea Ypi është profesoreshë e teorisë politike në “London School of Economics” si dhe autore e “Free”. https://www.ft.com/content/059b9ad6-46ae-4c1c-b049-90fe4bd88212

Përgatiti a.m/ Liberale.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com