Vrasjet politike janë të njohura që në Romën e lashtë kur Jul Çezari u vra nga një grup senatorësh më 15 mars të vitit 44 para erës sonë. Këto ngjarje trondisin kombet dhe komunitetin global edhe në ditët e sotme ku vihet re një rritje e numrit të atentateve politike.
Krimet ndaj kryetarëve të shtetit shpesh herë vënë në diskutim sigurinë e vendeve dhe kërcënimet me të cilat përballen figurat politike.
Ish-presidenti Donald Trump i shpëtoi dy atentateve në harkun kohor të dy muajve. Një person qëlloi me armë në drejtim të kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, teksa ky i fundit luante golf në resortin në pronësi të tij në Uest Palm Beach në Florida. Të shtënat nuk arritën të preknin Trumpin.
Në korrik të këtij viti ai i shpëtoi një tjetër atentati gjatë një tubimi në Pensilvani. Nga ky sulm ish-presidenti amerikan përfundoi me disa plagë të lehta, por bilanci i ngjarjes ishte një i vrarë dhe dy të plagosur. Për të dy ngjarjet janë arrestuar dy autorë.
Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe u vra në korrik të vitit 2022 teksa mbante një fjalim fushate në Nara, Japoni. Kjo ngjarje tronditëse u dënua nga mbarë bota. Abe ka qenë politikani më me ndikim në Japoni, gjatë dekadës së fundit.
Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, i mbijetoi një atentati në nëntor të vitit 2022. Gjatë një tubimi politik, ai u qëllua në këmbë, por shpëtoi pas një ndërhyrjeje në spital. Sulmi erdhi në një klimë të paqëndrueshme politike në Pakistan.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është përballur me tentativa të shumta për vrasje që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022. Siguria e shtuar e ka shpëtuar udhëheqësin disa herë edhe pse në një zonë konflikti.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i mbijetoi një sulmi me dron gjatë një parade ushtarake në gusht të vitit 2018. Dronët, të ngarkuar me eksploziv, shpërthyen pranë skenës ku po fliste Maduro. Edhe pse ai shpëtoi i padëmtuar, nga kjo ngjarje pati të plagosur nga personeli ushtarak.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u plagos rëndë në një atentat më 15 maj të vitit 2024. Sulmi ndodhi në Handlová, ku Fico përshëndeti një turmë pas një mbledhjeje qeveritare. Autori ishte një 71-vjeçar, kundërshtar i politikave të Ficos.
Kryeministri japonez Fumio Kishida i shpëtoi një atentati më 15 prill 2023. Gjatë një aktiviteti fushate në portin e peshkimit Saikazaki në Wakayama, një burrë hodhi një bombë pranë Kishidës. Ky i fundit u evakuua nga vendi ku ndodhi shpërthimi dhe autori u arrestua në vendin e ngjarjes.
Klan News