Nga helikopterët “Black Hawk”, te dronët dhe sistemi mbrojtës, konsultim publik për sigurinë kombëtare

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi diskutoi në një takim konsultativ për çështje të sigurisë kombëtare me grupe interesi; ushtarakë me grada madhore, drejtues të shoqatave të ushtarakëve në rezervë, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ekspertë të fushës së sigurisë dhe strategjisë nga AFA dhe Kolegji i Mbrojtjes dhe i Sigurisë.

Në fokus të diskutimeve ishte rishikimi i dokumenteve strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes, përgatitja e kapaciteteve përballë sfidave të kohës, në përputhje edhe me kërkesat e Aleancës së NATO-s.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Niko Peleshi evidentoi disa faktorë që kanë shtuar nevojën për rishikimin e strategjisë kombëtare të sigurisë, duke nisur nga kërcënimi që agresioni rus në Ukrainë paraqet për zonën Euro-Atlantike, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, konfliktet hibride dhe sulmet kibernetike, etj.

Gjithashtu Ministri Peleshi u shpreh se gjatë vitit 2024 buxheti i mbrojtjes është në nivelin 2% të PBB, sipas kërkesave të NATO-s e krahasuar me vitin 2023 është rritur rreth 22%. Si arritje të vitit të kaluar Ministri I Mbrojtjes përmendi zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike, kompletimin me dy helikopterët e parë BLACK HAËK, rritjen e kapaciteteve operacionale të FA-së, ngritjen e Qendrës së Inovacionit, Shërbimin satelitor për institucionet ligjzbatuese dhe zhvillimit apo investimet në Edukimin Profesional Ushtarak sipas modelit Ëest Point.

Fokusi në vitin 2024, sipas ministrit Peleshi do të jetë në ngritjen e Kapaciteteve të Mbrojtjes Kundërajrore me Bazë në Tokë dhe kapaciteteve operacionale të sistemeve stacionare dhe të lëvizshme për zbulimin dhe neutralizimin e objekteve fluturues pa pilot (C-UAS), ndërsa informoi se së shpejti do të fillojë flota e dronëve BAYRAKTAR. Konsolidimi I Flotës së helikopterëve Balck Hawk, avancimi inovativ dhe teknologjik, modernizimi i vazhdueshëm i Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore dhe Detare të RSH apo forcimi i sistemit të përgatitjes dhe Mbrojtjes Civile janë disa nga sfidat e tjera për vitin 2024.

Një vëmendje e veçantë do të jetë gjatë këtij viti operacionalizimi i Bazës Ajrore të Kuçovës- s, fillimi i zhvillimit të  projektit ushtarak të Porto Romano-s, modernizimi i Zonës Trajnuese në Bizë apo dhe stërvitja dhe ndërveprueshmëria, kryesisht nëpërmjet stërvitjeve ushtarake, si “Defender Europe”. Shqipëria, tha gjatë fjalës së tij, Ministri Peleshi, do të qëndrojë e angazhuar në misione, operacione dhe iniciativa të NATO, BE, OKB dhe koalicione vullneti, në 8 misione ndërkombëtare, ku janë angazhuar 172 personel ushtarak. Ndërsa vitin tjetër Shqipëria do të shtojë praninë e saj në KFOR, Bosnje-Hercegovinë dhe po vlerësohen angazhime te tjera shtesë në NATO dhe BE.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes ky vit është i rëndësishëm pasi shënon edhe 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si dhe 80-vjetorin e Çlirimit të vendit.

‘Kërcënimet e reja dhe në zhvillim në mjedisin e ri të sigurisë kërkojnë prej të gjithëve ne të dëgjojmë fort thirrjen e jashtëzakonshme të kombit. Le të shërbejë ky takim për të ndërtuar mirëkuptim publik, partneritet dhe bashkëpunim për të gjeneruar diskutime mbi politikat tona të sigurisë dhe të mbrojtjes, dhe te punojmë për një te ardhme nga ku brezat do të shohin pas me krenari. Siguria dhe qëndrueshmërinë jonë kombëtare, është e lidhur me mënyrën se si ne e përcaktojmë pjesëmarrjen dhe kontributin tonë’, u shpreh Ministri Peleshi, në këtë takim konsultativ.

Ndërkaq, sipas ministrit do të vijojë përmirësimi i trajtimit të ushtarakëve aktivë, pas rritjes së pagës me afro 40% në vitet e fundit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com